Lidhje

Presidenti Bush mbrojti vendimin e tij për të autorizuar një program sekret për përgjimin e telefonatave dhe të mesazheve elektronike

  • Paula Wolfson

Nxjerrja në publik e një programi sekret survejimi e ka vënë presidentin në pozita mbrojtëse, megjithatë ai nuk kërkoi falje, ndërsa iu përgjigj pyetjeve në se ky operacion kontradikton një prej lirive bazë të Amerikës, mbrojtja kushtetore nga kontrollet dhe sekuestrimet e paarsyeshme.

Presidenti tha se është e domosdoshme të veprohet me shpejtësi në raste të dyshuara terroriste për të mbrojtur popullin amerikan. Ai tha se e ka riautorizuar programin herë pas here dhe do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë.

“Ne e dimë se një telefonatë 2 minutëshe mes një personi të lidhur me al-Kaidën këtu dhe me një operativ jashtë vendit mund të çojë drejtë për drejtë në humbjen e jetës së mijëra njerzve. Për të shpëtuar jetën e amerikanëve, ne duhet të jemi në gjendje të veprojmë shpejt dhe të diktojmë këto biseda në mënyrë që të parandalohen sulme të reja."

Presidenti Bush iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë për gati një orë. Ai tha se zbulimi i programit sekret në fjalë ndihmon armikun. Ai tha se mendon që Departamenti i Drejtësisë do të hetojë burimin që nxori këtë informacion. Madje ai nuk la asnjë dyshim se ç’mendon ai rreth atyre që nxorën informacionin rreth operacionit të survejimit.

“Është një akt i turp për dikë që është në dijeni të sekreteve të qeverisë amerikane, t’i nxjerrë ato në publik.”

Presidenti tha se programi përfshin mbrojtje, madje ai reagoi ashpër ndaj nocionit se mund të kërkojë kompetenca të pakontrolluara për hir të luftës kundër terrorizmit. Ai tha se pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kongresi autorizoi hapa për të mbrojtur popullin amerikan. Presidenti tha se po e bën një gjë të tillë duke pasur gjithnjë parasysh liritë civile.

“Unë i kuptoj mirë shqetësimet e njerzve. Por dua gjithashtu ta siguroj popullin amerikan se unë po bëj atë që pritet prej meje e që është mbrojtja e lirive civile dhe në të njëjtën kohë mbrojtja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Dhe ndërsa fliste për këtë çështje, presidenti i bëri thirrje kongresit të ripërtërijë Aktin Patriot, në bazë të të cilit qeveria gëzon të drejtën të hetojë terroristë të dyshuar në Shtetet e Bashkuara. Ai i cilësoi përpjekjet për shtyrjen e një hapi të tillë në senat si të pafalshëm.

Gjatë konferencës së tij për shtyp, zoti Bush u bëri përsëri thirrje amerikanëve që të jenë të duruar, ndërsa udhëheqësit irakianë vazhdojnë procesin e krijimit të qeverisë së re.

Ai u pyet gjithashtu në se informacionet e gabuara të zbulimit që u përdorën për të justifikuar luftën në Irak po e bëjnë më të vështirë për të bindur vendet e tjera rreth rrezikut që përbëjnë përpjekjet e Iranit për të zhvilluar një program bërthamor.

“Njerzit e dinë se një Iran i aftë për të prodhuar një armë bërthamore nuk është në interesin e botës. Kjo pranohet nga e gjithë bota, veçanërisht pas deklaratave të kohëve të fundit të presidentit iranian lidhur me zhdukjen nga harta të një aleati të Shteteve të Bashkuara.”

Presidenti tha se ai vazhdon të besojë se diplomacia është mënyra më e mirë për zgjidhjen e këtij problemi. Ai la të kuptohet se po qe që bisedimet midis Iranit dhe përfaqësusve të 3 vendeve evropiane dështojnë, hapi i ardhshëm do të ishte që mosmarrëveshja lidhur me ambicjet bërthamore të Iranit t’i kalohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG