Lidhje

Çifti Gejts i Mikrosoftit dhe ylli i muzikës rok Bono, fituesit e titullit “njeriu i vitit” për 2005-ën


Revista amerikane "Time" njoftoi këtë javë se titulli i njeriut të vitit për 2005-ën i jepet tre personave: miliarderit Bill Gates dhe të shoqes së tij Melinda si dhe yllit të muzikës rok, irlandezit Bono. Këta individë veçohen për kontributin e tyre në luftën kundër varfërisë dhe në përpjekje për të përmirësuar shëndetin botëror.

Tre personat që do të marrin titullin “njeriu i vitit” për 2005-ën e kanë shfrytëzuar me sukses emrin dhe famën e tyre për të zgjidhur problemet me të cilat ndeshen shumë vende dhe miliona vetë. Gjatë pesë vjetëve të fundit, Fondacioni Bill dhe Melinda Gates me seli në Seattle të Uashingtonit, organizata më e madhe bamirëse me fonde private, ka punuar në drejtim të përmirësimit të shëndetit dhe arsimit botëror. Kjo shoqatë e drejtuar nga Bill Gates dhe e shoqja Melinda ka si një ndër kauzat kryesore përpjekjet për të prodhuar një vaksinë kundër malaries, për të cilat është veçuar një fond prej mbi gjysmë miliard dollarësh.

Kjo sëmundje shkakton vdekjen e më shumë se 1 milion vetëve në vit, pjesa dërrmuese fëmijë në rajonet e varfra afrikane.

"Malaria po keqësohet. Për ta luftuar ka tre metoda, për të cilat duhet të shtojmë burimet tona. Rrjetat e mushkonjave mund të sjellin ndryshime të mëdha. Po shpiken ilaçe më të mira, ndaj të cilave mikrobi nuk ka rezistencë. Gjithashtu vazhdon puna për prodhimin e një vaksine, por ende nuk dihet se kur mund të realizohet kjo."

Zoti Gates thotë se malaria deri tani është lënë thuajse pas dore në botën në zhvillim. Vetëm Organizata Botërore të Shëndetësisë dhuron më shumë fonde sesa Fondacioni Bill dhe Melinda Gates për përpjekjet kërkimore lidhur me vaksinën kundër malaries. Gates Do të vijë një ditë kur të gjithë njerëzit, pavarësisht se ku kanë lindur, do të jetojnë një jetë të shëndetshme.

Bill dhe Melinda Gates shpesh kanë bashkëpunuar në fushata bamirëse me Bonon, këngëtarin kryesor të grupit irlandez të rokut U-2. Ai njihet jo vetëm si muzikant, por edhe si veprimtar i angazhuar energjikisht në fushatën për faljen e borxheve të Botës së Tretë.

Në vitin 2005 ai ishte kandidat për Çmimin Nobel të Paqes dhe flitej se ishte një ndër konkurentët e mundshëm për të drejtuar Bankën Botërore. Në veprimtarinë e tij bamirëse këtë vit përfshihet fushata “click” e cila përmes shumë figurave të njohura përpiqej të theksonte ndikimin e varfërisë në botën në zhvillim. Çdo “klik” simbolizonte vdekjen e një fëmije në vende të varfra. Në botë çdo tre sekonda vdes një fëmijë nga varfëria.

Reklamat ishin pjesë e fushatës që i parapriu takimit të nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes në Skoci, përmes së cilës kërkohej angazhimi i publikut për të ushtruar trysni mbi politikanët në mënyrë që të premtonin në takim fonde për të pakësuar në masën 50 për qind ritmet e varfërisë brenda vitit 2015. "Nuk u kërkojmë para njerëzve, vetëm duam që të ngrenë zërin"- ka thene Boni. Këngëtari ka thënë vazhdimisht se varfëria është kauza që do t'i japë tonin shekullit të 21-të.

Ky brez në këtë moment dëshiron të lërë diçka pas si trashëgimi.

"Për çfarë do të na kujtojnë pas 50 vjetësh: për internetin, për luftën kundër terrorizmit? A ka mundësi që ky të jetë brezi që i thotë “jo” varfërisë së panevojshme, varfërisë ekstreme, vdekjes së fëmijëve nga urija në shekullin e 21-të? Unë dua të kujtohem si pjesë e këtij brezi."

Për 80 vjet revista Time zgjedh Njeriun e Vitit, në bazë të ndikimit që ka pasur ky apo këta persona gjatë vitit të caktuar.

XS
SM
MD
LG