Lidhje

Irak: Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve, koalicioni shiit kryeson ndjeshëm në zonën e Bagdadit


Zyrtarët zgjedhorë në Irak bënë të ditura rezultatet paraprake të zgjedhjeve, që tregojnë se koalicioni shi’it kryeson ndjeshëm në rajonin e Bagdatit.

Rezultatet e pjesshme tregojnë se Aleanca shi’ite për Irakun e Bashkuar, ka fituar rreth 58 përqind të votave në rajonin më të populluar të Irakut. Një koalicion arab suni, Fronti për Konsensus, ka marrë 18 përqind të votave.

Rezultatet e pjesshme në rajone të tjera tregojnë se votat janë shpërndarë sipas përkatësive fetare ose etnike. Rezultatet përfundimtare priten pas disa ditësh.

Ndërkohë ushtria amerikane liroi 8 emra të njohur që i mbante të arrestuar, përfshirë dy shkencëtare irakiane të akuzuara se punonin për programin e armëve biologjike në regjimin e Sadam Huseinit.

Një avokat irakian tha se shkencëtaret Rihab Taha dhe Huda Saleh Ahdi Amash ishte mes të liruarve pasi u arrit në përfundimin se ato nuk paraqisnin më rrezik. Ndërkohë kryengritësit vranë dje 5 persona në Bagdat.

XS
SM
MD
LG