Lidhje

Kanceri dhe terapitë e mundëshme; Dieta e pasur me fibër nuk parandalon kancerin e zorrëve: Vitamina D ndihmon mushkëritë


Kanceri dhe terapitë e mundëshme

Shkencëtarët amerikanë botuan këto ditë një raport me udhëzime të reja që mjekët duhet të kenë parasysh kur rekomandojnë mënyrat e trajtimit të kancerit të gjirit. Rreth 20 mijë gra amerikane diagnostikohen çdo vit me kancer në gji dhe shumë prej tyre i nënshtrohen trajtimit me kimoterapi që në disa raste ka efekte anësore tepër të rënda. Por shkencëtarët thonë se këto efekte mund të shmangen duke përdorur ilaçe të tjera në varësi nga lloji i kancerit. Ninan Rozen thotë se është më fat. Ajo jo vetëm që po e mposht kancerin, por po shmang edhe pasojat e rënda që rrjedhin nga trajtimi i kësaj sëmundjeje. Në fillim të këtij viti, mjekët hoqën një tumor nga gjoksi i saj. Tumori ishte i madh rreth 50 milimetra dhe pas heqjes, Ninës i duhej t’i nënshrohej kimoterapisë për të parandaluar rishfaqjen e kancerit. Edhe ajo vetë e kuptoi se nuk kishte rrugëdalje tjetër. Kimoterapia shpëton çdo vit jetën e mijëra njerëzve. Por efektet anësore të saj mund të jenë të rënda. Për këtë arsye Nina Rozen kërkoi mendimin e një mjeku tjetër. Mjeku Dana Farber thotë se bazuar në analiza e prova shtesë u arrit në përfundimin se mundësia për rishfaqjen e tumorit tek Nina ishte shumë e vogël dhe se përfitimet nga kimoterapia nuk do të ishin tepër të mëdha për të. Sipas statistikave, kimoterapia u vjen në ndihmë vetëm rreth 15 përqind te pacienteve me kancer në gji, tek 25 përqind kanceri rishfaqet dhe 60 përqind e pacienteve mund të trajtohen më mirë me ilaçe të tjera. Në listën e udhëzimeve për trajtime të reja theksohet se kanceri i gjirit duhet parë jo si një sëmundje e vetme por si grup sëmundjesh, bazuar në veçoritë e tumorit, prandaj mjekët duhet të tregohen më seleksionues në zgjedhjen e mënyrave të ndryshme të trajtimit sipas veçorisë së pacientëve. Në listën e udhëzimeve thuhet se përpara se mjekët të zgjedhin kimoterapinë si mënyrë për trajtimin e pacientëve, ata duhet të kryejnë analizat e tumorit për të parë në se tumori ushqehet nga hormone. Kjo sugjeron që pacientit t’i ofrohen ilaçe Tamiksofen për bllokimin e hormoneve. Në rekomandimet për trajtimin e kancerit thuhet se analiza ose prova të tjera mund të përdoren për të identifikuar kanceret e gjirit bazuar në përbërjen gjenetike dhe të proteinave, duke lejuar madje edhe terapi me goditjen e drejtpërdrejtë të vatrës së kancerit. Mjekja Lisa Keri pranë universitetit Çapel Hill të Karolinës së veriut thotë se kjo mënyrë përbën një ndryshim të thellë në mënyrën e trajtimit të kancerit, pasi teknologjia e re u lejon mjekëve të shohin përbërjen molekulare dhe biologjike të tumorëve. Disa shkencëtarë parashikojnë se udhëzimet e reja për trajtimin e kancerit nëse zbatohen mund të përgjysmojnë rastet e përdorimit te kimoterapisë, duke lejuar pacientë të tillë si Nina Rozen të mposhtin kancerin vetëm duke marrë çdo ditë një tablet të thjeshtë.

Dieta e pasur me fibër

Një studim i ri tregon se dieta me fruta, perime dhe drithra, të pasura me fibër, nuk luan ndonjë rol të madh në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë, ndryshe nga sa mendohej më parë. Megjithatë, Xhejn Stevens thotë se ngrënia e një sasie sado të vogël të ushqimeve që përmbajnë fibër është mirë për shëndetin. Xhejn si shumë të tjerë vazhdon të mendojë se përdorimi i frutave, perimeve dhe nënprodhimeve të drithrave mund të pakësojë rrezikun e prekjes nga kanceri në zorën e trashë. Por një studim i botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë thotë se kjo nuk është e vërtetë. Mjekja Stefani Smith-Uorner, pranë universitetit të Harvardit thotë se ngrënia e ushqimeve të pasura me fibër nuk ka lidhje me uljen e rrezikut të kancerit të zorrëve. Mjekja Smith-Uorner dhe kolegët e saj kryen një studim të gjërë ndërkombëtar që shqyrtoi nga afër zakonet e ngrënies së ushqimeve me përmbajtje fibre mes 725 mijë njerëzëve për afro 20 vjet. Sipas studimit, rreth 8 mijë vetë prej pjesmarrësve në studim u prekën nga kanceri në zorrën e trashë. Mjekja Smith-Uorner thotë se personat që përdoren ushqime me përmbajtje të lartë fibre ndodheshin njësoj në rrezik për kancer të zorëve me ata individë që përqorën ushqime me përmbjatje të ulët fibre. Por megjithëse përdorimi në sasi të madhe i ushqimeve me përmbajtje fibre ndikoi pak në uljen e rrezikut të kancerit në zorrën e trashë, të dhënat treguan se ato ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Mjekët thonë se përdorimi i ushqimeve të tilla është i rëndësishëm dhe shtojnë se për parandalimin e kancerit të zorrës së trashë janë të efektëshme masa të tilla si mospirja e duhanit, përdorimi i kufizuar i mishit dhe pijeve alkoholike dhe ushtrimet e rregullta fizike.

Vitamina D

Gjatë studimit me rreth 14 mijë amerikanë, shkencëtarët arritën në përfundimin se personat që kanë nivele të larta të vitaminës D në gjak janë të prirur të kenë mushkëri më të shëndetëshme sesa ata që kanë vitaminë D në nivele të ulta. Kjo u vu re më qartë tek personat mbi 60 vjeç dhe tek ata që pijnë duhan. Studime të mëparëshme kanë trteguar mbi të mirat e vitaminës kundër ostoeporozës, hipertensionit, diebetit dhe disa llojeve të kancerit. Përsa i përket mushkërive, shkencëtarët thonë se ka të ngjarë që vitamina D duket se ndihmon në rigjenerimin e qelizave të dëmtuara. Vitamina D, thonë ata, mund të veprojë tërthorazi edhe nëpërmjet sistemit imunitar.

XS
SM
MD
LG