Lidhje

Një gjykatë merr një vendim që shënon një goditje për kritikët e teorisë së evolucionit


Një gjykatës federal në shtetin e Pensilvenias vendosi të ndalojë mësimin në shkollë të një teorie alternative ndaj evolucionit, të njohur si teoria e krijuesit inteligjent. Vendimi shënon një hap pas për përkrahësit e kësaj teorie dhe mund të ketë ndikim në mbarë vendin.

Gjykatësi federal Xhon Xhones thotë në vendimin e tij, se teoria e krijuesit inteligjent që frymëzohet nga feja, nuk mund të mësohet në shkollë krahas teorisë së Darvinit për evolucionin. Vendimi i tij mbulon një distrikt të Pensilvenias.

Teoria e krijuesit inteligjent, ka në bazë të saj argumentin se jeta është kaq e komplikuar, sa ajo është krijuar nga një fuqi e mbinatyrshme dhe se teoria e evolucionit e Darvinit, nuk e shpjegon plotësisht origjinën e njeriut.

Anëtarët e bordit të arësimit të distriktit Dover të Pensilvanisë, vendosën vitin e kaluar që nxënësit duhet të njiheshin edhe me teorinë alternative të krijuesit inteligjent krahas asaj të Darvinit, kur të studionin evolucionin.

Por me vendimin e djeshëm, gjykatësi Xhones, vinte në dukje se anëtarët e bordit të arësimit të distriktit të Doverit, kishin shkelur parimin kushtetues që ndan kishën nga shteti.

Gjykatësi po ashtu shprehet në vendimin e tij se anëtarët e bordit që mbështetën futjen në proces mësimor të teorisë së krijuesit inteligjent, kanë gënjyer vazhdimisht për qëllimin e tyre të vërtetë, i cili ishte sipas gjyaktësit të përhapnin shpjegimin fetar të evolucionit, të njohur si teoria e krijuesit.

Kundërshtarët e teorisë së krijesës inteligjente, e përshëndetën vendimin e gjykatësit si një fitore të rëndësishme ligjore që do të ketë ndikim mbarë kombëtar.

Barry Lynn drejton një organizatë të quajtur Amerikanët e Bashkuar për Ndarjen e Kishës nga Shteti.

“Kjo është një fushatë e organizuar nga qarqet e djathta fetare për t’i kthyer shkollat publike në shkolla fetare dhe për të mësuar në to doktrinat fetare. Vendimi i djeshëm është një perngesë e madhe për përpjekje e tyre.”

Përkrahësit e teorisë së krijuesit inteligjent thonë se nuk ka asgjë të keqe që studentët të njihen edhe me një teori alternative ndaj evolucionit. Casey Luskin, është veprimtar për teorinë në fjalë.

“Kjo është një teori shkencore. Gjykatësi u gabua që e barazoi teorinë e krijimit inteligjent me teorinë fetare të krijimit të botës. Kjo është një humbje për edukimin në tërësi, dhe në këtë këndvështirm, ne mbetën të zhgënjyer nga vendimi”.

Gjykata e Lartë e ka ndaluar mësimin në shkolla publike të teorisë fetare të krijimit të botës, me një vendim të vitit 1987, nën argumentin e ndarjes së shtetit nga feja.

Muajin e kaluar 8 anëtarë të bordit të arsimit të distriktit të Doverit, humbën në zgjedhjet lokale.

XS
SM
MD
LG