Lidhje

Nju Jork: Sindikata e transportit publik gjobitet me 1 milion dollarë në ditë për grevën


Sindikata e punonjësve të transportit publik të Nju Jorkut është gjobitur me 1 milionë dollarë në ditë për grevën, e cila ka lënë mijëra banorë të bllokuar në prag të festave të fundvitit. Gjoba u vu nga Gjykata e Lartë e Nju Jorkut pas fillimit të grevës dje. Sindikata tha se do ta apelojë vendimin dhe e quajti gjobën tepër të lartë. Sipas ligjeve të Nju Jorkut punonjësit e sektorit publik nuk mund të hidhen në grevë. Për herë të fundit, sektori i transportit u hodh në grevë në vitin 1980. Në atë kohë greva zgjati 11 ditë.

Greva ka shkaktuar vështirësi të shumta për rreth 7 milionë banorë. Njujorkezët thirrën taksitë, morrën njeri tjetrin në makina, madje përdorën edhe biçikletat, por shumica shkuan në punë në këmbë ndërsa sindikata mbylli sistemin e transporti publik të qytetit.

Gjatë negociatave disa ditore, sindikata dhe autoritetet e sistemit të transportit publik iu afruan shumë marrëveshjes, arritën të bien dakort për pagat, por nuk arritën të zgjidhnin pensionet dhe sigurimin shëndetësor për punonjësit e rinj.

Ligjet e shtetit të Nju Jorkut i ndalojnë grevat e punonjësve të sektorit publik, të cilët tani ndeshen me gjoba të larta për çdo ditë që nuk dalin në punë.

Kryetari i bashkisë, Majkëll Blumberg, tha se greva do t’i kushtojë qytetit rreth 400 milionë dollarë në ditë. Zoti Blumberg u shpreh me ashpërsi ndaj sisndikatës së transportit.

“Nga ajo që kemi mësuar, pasojat ekonomike do të jenë tepër të rënda. Më shumë do të dëmtohen njësitë shitëse në Manhatanin e poshtëm. Qindra dyqane nuk janë hapur dot në këtë sezon të ngarkuar festash dhe disa praktikisht nuk realizuan asnjë shitje. Shumë klientë po anulojnë mbërritjen në hotele. Dhe gjithshka për shkak të një greve të paligjshme.”

Greva la miliona njujorkezë pa transport dhe njerëzit u përpoqën të gjenin ç’të mundinin për të lëvizur në këtë ditë të ftohtë dhjetori. Por shumë prej tyre nuk e humbën humorin.

Autoritetet e qytetit morrën masa paraprake për të lehtësuar trafikun e makinave personale, duke mos lejuar makina me një person të hynin në qendër, duke nxitur banorët të udhëtonin së bashku dhe duke u kërkuar shoferëve të taksive të transportonin disa persona për çdo rrugë.

XS
SM
MD
LG