Lidhje

100 ditët e para të qeverisë Berisha


Kryeministri Berisha, deklaroi se ne 100 ditet e para te punes se vet, qeveria e Shqiperise eshte shmangur plotesisht nga konflikti i interesave dhe njekohesisht ka marre nje seri masash kunder korrupsionit ne administrate. Në nje interviste per "Zerin e Amerikes", ai paralajmeroi reforma te thella strukturore ne sistemin e drejtesise dhe ne prokurori.

Zëri i Amerikës: Jemi në 100 ditët e para të punës së kabinetit tuaj qeveritar. Cilat mendoni se janë rezultatet më të spikatura në punën tuaj tuaj në këto 100 ditë?

Sali Berisha: Nga pikat më kryesore të këtyre 100 ditëve unë do të veçoja: Së pari; nxjerrjen e qeverisë nga konflikti i interesit, nxjerrjen e emërimeve të tjera nga konflikti i interesit, amendimin e ligjit të konfliktit të interesit, si dhe masa të tjera antikorrupsion. Së dyti; do të vlerësoja përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël. Së treti; do të vlerësoja ligjet për reformën e pronësisë, amendimin e ligjit të pronave dhe ligjin e legalizimeve, të cilin ne e nisëm dje në parlament. Do të vlerësoja në këtë kontekst pa diskutim buxhetin e ri të shtetit, i cili u shoqërua me rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve që nga viti 1996, me rritjen e investimeve publike, me rritjen e investimeve në arsim dhe në shëndetësi, me rritjen 37% të grantit për qeverisjen vendore.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, cili është vlerësimi juaj për punën e diplomacisë shqiptare dhe të ministrisë së integrimit në këto 100 ditët e para të kabinetit tuaj qeveritar?

Sali Berisha: Përfunduan negociatat me BE për marrëveshjen e stabilizim - asociimit dhe kjo përbën një arritje të madhe për Shqipërinë. Komisioni Europian ka bërë këtë konkluzion, dhe ky konkluzion është pranuar edhe nga Këshilli i Ministrave. Nga ana tjetër, diplomacia shqiptare është përpjekur që të bëhet avokate e këtij ndryshimi të madh që po ndodh në Shqipëri dhe qw po konsolidohet, sikundër ka paraqitur pikëpamjet e saj në rajon. Pikëpamjet e qeverisë shqiptare janë tashmë gjerësisht të pranuara si për Kosovën ashtu edhe për të gjitha zhvillimet e tjera në rajon. Ne kemi si qëllim kryesor orientimin e diplomacisë drejt tërheqjes së investimeve në Shqipëri, marrjen e disa funksioneve ekonomike, po të shpreheshim në këtë mënyrë, të cilat ajo nuk i ka patur më parë. Shqipëria ka nevojë për investime më shumë se për çdo gjë tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, si drejtues i maxhorancës ju keni premtuar reforma të thella në drejtësi dhe luftë pa kompromis kundër korrupsionit. A duhej të prisnim rezultate të dukshme brenda 100 ditëve për këto reforma në drejtësi? Dhe, a mendoni më, siç jeni shprehur, se drejtuesit e prokurorisë flejnë ende mbi dosjet e krimit?

Sali Berisha: Ne kemi punuar këto 100 ditë për reforma në drejtësi dhe kemi punuar seriozisht. Natyrisht reforma në drejtësi nuk mund të jetë një reformë emergjence, sepse është një sistem tjetër. Kam bindjen se ministria e drejtësisë do të paraqesë së shpejti një riorganizim të sistemit gjyqësor. Pa diskutim që lufta kundër korrupsionit në këtë sistem është një përparësi e madhe, por kemi përcaktuar si më të parën detyrw zbatimin e vendimeve gjyqësore, në mënyrë që ne të çojmë tek drejtësia sinjale të drejta. Ne jemi për të drejtën, për ligjin dhe jo për mosdënimin. Lidhur me prokurorinë mund të them se po përgatitet një reformë e thellë e këtij sistemi. Jemi lidhur me institucione ndërkombëtare dhe në mënyrë të padiskutueshme ky sistem ka nevojë për një reformim të thellë në strukturë në radhë të parë, pastaj vijnë edhe emrat natyrisht sepse shihet nëse ata përputhen me strukturën apo jo.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ndalemi një çast tek marrëdhëniet me opozitën. Disa nga reformat, siç janë reformat në drejtësi dhe reforma zgjedhore, do të duhen bërë patjetër në parlament edhe me bashkëpunimin e saj. Por opozita shqiptare është duke u treguar shumë refraktare, shumë mosbesuese ndaj maxhorancës tuaj. Si mund të rregullohen marrëdhëniet me opozitën, në mënyrë që edhe reformat të shkojnë më mbarë?

Sali Berisha: Ne përpiqemi të kemi marrëdhënie normale me opozitën, por opozita vazhdon të ketë realisht një krizë lidershipi. Ata kanë probleme të rënda në vendimmarrje, por shpresoj të dalin nga ky problem. Unë shpresoj që aty të konsolidohet vendimmarrja dhe opozita të mund të marrë pjesë në reforma. Për këtë është shumë e mirëpritur, sikundër e garantoj edhe për sensin e plotë të kompromisit të Partisë Demokratike për reformën zgjedhore.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, disa analistë dhe politikanë të opozitës janë shprehur kritikë ndaj jush për faktin se projekt - buxheti i vitit 2006 nuk përfshiu disa nga premtimet e rëndësishme që ju bëtë gjatë fushatës zgjedhore të verës në Shqipëri. Si qëndron problemi me mospërfshirjen e këtyre premtimeve dhe çfarë roli ka luajtur FMN në këtë çështje?

Sali Berisha: Mendoj se FMN me të drejtë këmbënguli për një tranzicion, pasi programi ynë është tepër ambicioz, dhe kalimi i plotë në këtë program duhej të bëhej pasi qeveria të dëshmonte një performancë, një përmirësim të ndjeshëm të administrimit fiskal. Kjo po ndodh: në këto tre muaj ne kemi një rritje prej 20 për qind të të ardhurave nga doganat dhe tatimet. Ndaj edhe unë jam i sigurtë se marrëveshja që u nënshkrua me FMN për rishikimin e buxhetit në qershor do të krijojë mundësi për zbatimin e plotë të paketës tonë fiskale, të cilën FMN e ka mbështetur me të vetmin kusht që duhet të përmirësohet administrimi fiskal. Kurse, përsa u përket orientimeve, ne mund të them me siguri se ia kemi dalë plotësisht që buxhetin ta orientojmë në linjat e shpallura para zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, qeveria juaj trashëgoi një krizë të rëndë energjitike nga vitet e mëparshme. Ajo u rishfaq papritur pikërisht në 100 ditët e para të qeverisë së re, si për t’iu kujtuar se kriza është aty. A mund të themi se kriza ka kaluar tashmë dhe çfarë masash janë marrë për të ardhmen?

Sali Berisha: Sot Shqipëria furnizohet me energji më shumë se asnjëherë tjetër në të shkuarën e saj: merr 18-19 milionë kilovat orë energji në ditë. Kështu që, situata e krijuar pas formimit të qeverisë është kapërcyer tërësisht: është hapur një tender njëvjeçar për import të energjisë, janë zhbllokuar fondet për linjën Elbasan - Podgoricë, është vendosur ndër përparësitë linja tjetër Elbasan - Shkup, po luftohet kundër humbjeve teknike në rrjet, dhe po ndërmerren masa për të projektuar burime të reja energjitike.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, meqenëse jemi në prag të Krishtlindjeve, në fund të 2005 dhe ndërrimit të viteve, cili është një vlerësimi juaj për vitin e veçantë zgjedhor 2005, dhe një mesazh për vitin 2006?

Sali Berisha: Mendoj se viti elektoral 2005 është një vit i rëndësishëm në historinë e zgjedhjeve të vendit, sepse shënon rotacionin paqësor, të vështirë por paqësor, të pushtetit. Kjo është një arritje, është një dëshmi e maturitetit të demokracisë në Shqipëri. Është detyrë e kësaj qeverie që të shmangë të gjitha parregullsitë që u vunë re në zgjedhjet e shkuara dhe t’i japë vendit një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Duke përfituar nga ky rast, unë dua t’u uroj shqiptarëve kudo që janë “Gëzuar Krishtlindjet!”, “Gëzuar Vitin e ri!”. Viti 2006 - një vit me mbarësi më të mëdha për shqiptarët kudo që ndodhen!

XS
SM
MD
LG