Lidhje

Kosovë: Përfundon rindërtimi i 30 objekteve fetare ortodokse


Në Kosovë, ka përfunduar rindërtimi i 30 objekteve fetare të kishës ortodokse serbe, të cilat u dëmtuan gjatë trazirave të marsit të vitit 2004. Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Nirazh Sing, u tha sot gazetarëve në Prishtinë se organet vendore të vetëqeverisjes kanë financuar ndërhyrjet në të gjitha qendrat, përveç Kishës së Shën Nikollës në Prizren, për të cilën, ndërhyrja u mbështet nga një dhurim i zyrës amerikane.

Komisioni për Zbatimin e punës për Rindërtimin e objekteve fetare ortodokse në Kosovë, konfirmoi sot përfundimin e pjesës së parë të procesit të rindërtimit të këtyre objekteve. Komisioni bëri të ditur se ka përfunduar puna në mbrojtjen dhe konsolidimin e 30 objekteve fetare të kishës ortodokse në Kosovë, të cilat ishin dëmtuar gjatë trazirave të marsit të vitit 2004.

Komisioni tha se e ka arritur plotësisht qëllimin e tij për mbrojtjen e këtyre qendrave për të mos lejuar keqësimin e gjendjes gjatë periudhës së dimrit. Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Nirazh Sing, u tha sot gazetarëve në një konferencë shtypi në Prishtinë se komisioni filloi punën në qershor të këtij viti pas një marrëveshje të arritur midis kishës ortodokse serbe dhe institucioneve vendore të vetëqeverisjes, për të riparuar qendrat fetare ortodokse që u dëmtuan në mars të vitit të kaluar. “Organet vendore të vetëqeverisjes kanë financuar ndërhyrjet në të gjitha qendrat, përvec Kishës së Shën Nikollës në Prizren, për të cilën, ndërhyrja u mbështet nga një dhurim bujar i zyrës amerikane”. Zoti Singh tha gjithashtu se komisioni i cili drejtohet nga ekspertja ndërkombëtare Ema Karmishael, e emëruar nga Këshilli i Evropës, përfshin përfaqësues të ministrisë së kulturës, rinisë dhe sporteve të Kosovës, kishës ortodokse serbe dhe të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, për ruajtjen e monumenteve.

Bazuar në një program afatgjatë të ruajtjes së këtyre objekteve, Komisioni për Zbatimin e punës për Rindërtimin e objekteve fetare ortodokse, organizoi një mission ekspertësh për të vëzhguar pikturat murale brenda qendrave të dëmtuara”. Administrata ndërkombëtare thotë se është e kënaqur me punën e bërë për rindërtimin e këtyre objekteve që konsiderohen pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

XS
SM
MD
LG