Lidhje

Viti 2005 solli hapa të rëndësishëm drejt fillimit të negociatave për statusin e Kosovës


Gjatë vitit 2005 janë bërë disa hapa të rëndësishëm drejt fillimit të negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në çerekun e fundit të këtij viti, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara emroi ish kryeministrin finlandez, Marti Ahtisari, si kryenegociator të tij për të përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës. Zoti Ahtisari bëri kohët e një vizitë familjarizimi në rajon. Negociatat do të fillojnë në janar dhe mund të zgjasin gjithë vitin.

Zyrtarë amerikanë dhe të Bashkimit Evropian thonë se Kosova është çështja kryesore e pazgjidhur nga luftrat rrënimtare të viteve 1990 në ish Jugosllavi. 95 për qind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, të cilët mbështesin me forcë pavarësinë. Serbia, një pjesë e mirë e trashëgimisë fetare e kulturore të së cilës është e lidhur me Kosovën, e kundërshton atë.

Profesori i historisë evropiane në Universitetit Western Ilinoi, Nikolla Pano, amerikan me prejardhje shqiptare, thotë se do të jetë shumë e vështirë gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme nga shqiptarët e Kosovës si edhe nga Serbia:

“Mendoj se çdo zgjidhje që nuk parashikon pavarësi të plotë, qoftë ajo pavarësi e vonuar apo një proces që çon në pavarësi, do të ishte e papranueshme për popullin e Kosovës dhe mendoj se nuk do të ishte e prenueshme as për disa vende fqinje.”

Profesori Pano beson se ka shumë të ngjarë që një zgjidhje duhet të imponohet ndërkohë që mospajtimet midis Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës duken të pakpërcyeshme.

Kësaj pikëpamje i bën jehonë edhe profesori i shkencave politike në Universitetin Clemson të Karolinës së Jugut, Vladimir Matiç me prejardhje serbe. Zoti Matiç thotë se problemi është se shqiptarët dhe serbët e shikojnë zgjidhjen e çështjes së Kosovës si një përfundim, në të cilin njëra palë fiton dhe tjetra humbet. Kështu që një zgjidhje e çështjes së Kosovës, thekson profesori Matiç, duhet të imponohet nga komuniteti ndërkombëtar:

“Nuk ka pikë dyshimi, thotë zoti Matiç. Zgjidhja duhet t’u imponohet të dyja palëve. Ajo që duhet t’i imponohet Serbisë, është humbja e sovranitetit të saj mbi Kosovën, menjëherë ose nërmjet një procesi shkallë-shkallë. Ajo që duhet t’u imponohet shqiptarëve, është kthimi i serbëve dhe mbrojtja e të drejtave të serbëve si një pakicë në Kosovë.”

Po në vitin 2006, ka gjasa që Mali i Zi të vendosë nëse të ruajë apo jo lidhjen e tij të lirshme me Serbinë fqinje.

Të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor dëshirojnë të hyjnë në radhët e Bashkimit Evropian. Historiani Thomas Emert, specialist i çështjeve ballkanike pranë kolegjit Gustavus Adolphus në shtetin amerikan Manisota, thotë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është rruga më e mirë për të siguruar qendrueshmërinë në Ballkan:

“E vetmja fjalë praktike për mbarë këtë rajon është integrimi, veçanërisht ndërkohë që i hidhim vështrimin Evropës në tërësi. Çdo gjë që çon drejt këtij integrimi, thekson profesori Emert, nuk është vetëm e domosdoshme por obsolutisht e rëndësishme. Ne duhet të ecim drejt intregrimit ekonomik dhe politik të këtij rajoni në Evropë dhe nuk ka alternativë tjetër.”

Profesori Emert thotë se një zhvillim pozitiv në vitin 2005 ishte pranimi i masave që do të forcojnë qeverinë e dobët të Bosnjë-Hervegovinës:

“Mendoj se atje po vëmë re përpjekje serioze për risisteminin e personave të zhvendosur gjatë luftës, gjë që nuk shihej para tre apo katër vjetësh. Nuk ka dyshim se po bëhen përpjekje drejt integrimit të mëtejshëm të të gjitha pjesëve të Bosnjës.”

Në Ballkan është bërë përparim i ndjeshëm gjatë vitit 2005 edhe për sa i përket kapjes së personave të akuzuar për krime lufte. Këtë muaj, gjenerali kroat në arrati, Ante Gotovina, u arrestua në Spanjë dhe u dërgua në Hagë. Serbia, e cila në fillim të vitit ekstradoi në Hagë disa të akuzuar për krime lufte, ende nuk ka kapur dy më të kërkuarit në arrati, Gjeneral Ratko Mlladiç dhe ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjës gjatë luftës, Radovan Karaxhiç.

XS
SM
MD
LG