Lidhje

Senati miraton zgjatjen me pesë javë të afatit të Aktit Patriot


Në Shtetet e Bashkuara, pas disa ditë debati të nxehtë politik dhe manovrash lidhur me ligjin anti-terrorist, Kongresi i dërgoi Presidentit Bush një projekt-ligj për ta shtyrë Aktin Patriot për pesë javë. Ky akt i fundit legjislativ u ndërmor pasi Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë një votë të Senatit për ta shtyrë ligjin gjashtë muaj.

Pas votës së Senatit të mërkurën për një shtyrje 6-mujore, rezultat i negociatave intensive ndërmjet republikanëve dhe demokratëve në Senat, Akti Patriot iu kthye Dhomës së Përfaqësueve, ku marrëveshja ndeshi në një pengesë të fortë. Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Gjyqësorit, republikani James Sensenbrenner, kundërshtoi, duke thënë se Senati po tërhiqej nga përgjegjësia para popullit amerikan për të mbajtur në fuqi një version të ligjit që vetë u përpoq kaq shumë që të miratohej.

Ky veprim ishte i papritur, po të kesh parasysh punën e madhe që i kushtuan këtë javë republikanët dhe demokratët në Senat zgjatjes së afatit të skadimit. Zoti Sensenbrenner i shpjegoi kundërshtimet e tij në një konferencë për shtyp që mbajti mbrëmë: "Siguria e popullit amerikan nuk duhet të mbahet peng e përplasjeve partiake të një pakice senatorësh. Është e domosdoshme që Akti Patriot i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të rishikohet dhe të miratohet nga Senati sa më parë, në mënyrë që forcat e rendit dhe agjencitë e zbulimit të kenë mjetet e nevojshme për të zbuluar dhe sprapsur kërcënimet terroriste".

Duke shfrytëzuar fuqinë që i jep posti i Kryetarit të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Gjyqësorit, ligjvënësi Sensenbrenner ka agrumentuar për muaj me radhë se Akti Patriot ka përjetuar një numër përmirësimesh që nga miratimi i variantit të tij të parë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Administrata e presidentit Bush dhe republikanët në Kongres theksojnë rreth 30 ndryshime që janë zbatuar në përgjigje, siç thonë ata, të kritikave se Akti Patriot shkel liritë civile. Pasi mbrëmë Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane hodhi poshtë shtyrjen gjashtë mujore të afatit të skadimit të ligjit, çështja i kaloi Senatit, i cili po ashtu kontrollohet nga republikanët.

Meqë pjesa më e madhe e anëtarëve të të dyja Dhomave të Kongresit janë larguar tashmë nga Uashingtoni, senatori John Warner kryesoi senacën më të shkurtër të Senatit për të miratuar shtyrjen e skadimit të ligjit deri më 3 shkurt. Ky akt i Senatit ia kalon ligjin për shtyrjen 5-javëshe të afatit të skadencës Presidentit Bush, i cili i kishte bërë thirje Kongresit për miratimin e përhershëm të 16 dispozitave kryesore të ligjit, të cilat ishte parashikuar të skadonin në fund të këtij viti. Këtu përfshihen çështje si përgjimi i bisedave telefonike, i komunikimeve me internet, veprimtarive të biznesit e deri tek librat dhe temat që kërkojnë dhe lexojnë individët në bibliotekë, si dhe forcimin e autoritetit të forcave të rendit.

Megjithëse zgjerimi i autoritetit të forcave të rendit në luftën kundër terrorizmit që siguron Akti Patriot, gëzon mbështetje të madhe, ligji kritikohet nga shumë organizata, të cilat thonë se dispozitat e tij lënë vend për shkelje të lirive civile, gjë që administrata e presidentit Bush e ka hedhur poshtë.

Ligjvënësi Sensenbrenner i kritikoi demokratët në Senat, të cilët u vunë në krye të përpjekjeve për të penguar miratimin e ligjit, të mbështetur nga disa republikanë, duke i dhënë fund shpresave për një miratim të përhershëm të dispozitave më të rëndësishme të Aktit Patriot.

Megjithatë, ndërkohë që tani pritet që shtyjra e përkohshme të firmoset nga Presidenti Bush, disa ligjvënës demokratë parashikuan se kjo zgjatje e afatit të skadencës, e cila do ta vendosë çështjen në krye të listës së përparësive në planin e punës së Senatit në janar, nuk ka të ngjarë ta ndryshojë apo t’i japë fund debatit. Dhoma e Përfaqësuesve rifillon punën në fund të janarit.

XS
SM
MD
LG