Lidhje

Imzot Mirdita: “Në Shqipëri është krijuar hendek i madh mes të pasurve dhe të varfërve”


Zëri i Amerikës: Imzot Rroku, si do ta përshkruanit zhvillimin e lirive fetare në Shqipëri gjatë vitit 2005?

Imzot Rrok Mirdita: Ky ka qenë viti eukaristik i shpallur prej Atit të Shenjtë, dhe kjo është shoqëruar me veprimtari të ndryshme, me tubime shumë të mëdha në vende të ndryshme qoftë brenda Dioqezit, si edhe në nivelin kombëtar.

Gjatë këtij viti është vu re një lloj energjizimi, një interesim shumë i madh i njerëzve, në përmasa shumë më të mëdha se ato që janë të rëndomta përsa i përket manifestimeve fetare. Në vitin 2005 Arqipeshkvia e Tiranë-Durrësit u shpall edhe si Arqipeshkvi Metropolitane.

Zëri i Amerikës: Imzot Rroku, a mund të na tregoni nëse pengesa të ndryshe administrative ose shtetërore e kanë penguar punën tuaj në Shqipëri?

Imzot Rrok Mirdita: Edhe kisha, ashtu si e tërë shoqëria, ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga burokracia dhe të tjera dukuri negative, të cilat shoqëria shqiptare gjithnjë i vuan. Shpeshherë ato reflektohen edhe në jetën në zhvillimin e veprimtarisë tonë si kishë, qoftë përsa i përket çështjes së pronave, qoftë përsa i përket lejeve të qëndrimit, të cilat janë pengesa që shfaqen në tërësi në Shqipëri, jo vetëm për ne si komunitete fetare.

Megjithatë gjithmonë është paraqitur vullneti dhe mirëkuptimi me autoritetet e shtetit, si në të kaluarën edhe tani me administratën e re për një bashkëpunim, për një mirëkuptim, për një zgjidhje sa më të favorshme.

Por, e theksoj këtë se, edhe ne jemi viktimë e asaj burokracie që është aq tipike për vendin tonë dhe, jo vetëm këtu tek ne, por edhe në vendet që sa kanë dalë nga komunizmi këto vitet e fundit.

Zëri i Amerikës: Imzot Rroku, cili do të ishte komenti juaj lidhur me jetën sociale në Shqipëri. A mendoni se shoqëria dhe autoritetet shqiptare kanë filluar të mendojnë për shtresat në nevojë?

Imzot Rrok Mirdita: Ky kujdes ende lë shumë për të dëshiruar. Me të vërtetë, së paku siç e përjetoj unë, klasa e atyre që pasurohen me shpejtësi aq marramendëse sa që mund ta kenë lakmi edhe vende të tjera kapitaliste në një anë, dhe varfërimi i të tjerëve në anën tjetër më duket se ka krijuar një hendek, i cili ka për të kërkuar shumë kohë dhe shumë përpjekje dhe angazhim me të vërtetë të veçantë për ta mbyllur disi, ose për ta ngushtuar këtë hendek të krijuar, pra, nga kjo klasë që pasurohet shumë shpejt, dhe tjetrës që varfërohet dita për ditë.

Zëri i Amerikës: Imzot Rroku, cili është mesazhi juaj për qytetarët dhe besimtarët shqiptarë me rastin e Krishtilindjes?

Imzot Rrok Mirdita: Unë dëshiroj t’u shpreh urimet e mia më të përzemërta të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, duke dëshiruar që këto festa të jenë për të gjithë burim gëzimi e lumturie dhe rritje e shpresave të tyre për një jetë më të bukur, më premtuese, një jetë me harmoni brenda familjeve, si edhe brenda një vendi, një kombi kudo ato jetojnë.

Ndërsa për ata që e kanë në dorë fatin e vendit tonë, për drejtuesit e shtetit, do të dëshiroja që Krishtlindja të bëhet burim frymëzimi për dëshira të sinqerta, për drejtësi, për paqe e përparim. Dëshiroj që angazhimet e tyre të jenë me të vërtetë të përkushtuara dhe me të gjitha energjitë dhe me të gjitha mundësitë që kanë, të mundohen për ta përmirësuar jetën e qytetarëve tanë pa dallim, në mënyrë që në Krishtlindjen e ardhshme të jemi sadopak më përpara, më të lumtur, më të gëzueshëm dhe në një gjendje e me prosperitet më të mirë.

Me këto mendime dëshiroj t'u shpreh urimet më të mira të gjithëve dhe t'u uroj “Gëzuar Krishtlindjet!” //az//

XS
SM
MD
LG