Lidhje

Presidenti Bush u kujton amerikanëve për Krishlindje, detyrimet ndaj më të varfërve


Presidenti Bush u bëri thirrje amerikanëve që gjatë kremtimit të Krishtlindjes të mendojnë për më të vuajturit, përfshirë viktimat e uraganeve, si dhe tek ushtarakët amerikanë në Irak e gjetkë.

Presidenti Bush thotë se Krishtlindja është ditë gëzimi e paqeje dhe se periudha e festave është kohë për të treguar mirënjohje. “Në këtë tokë të bekuar e të begatë ka shumë gjëra për të cilat duhet të jemi mirënjohës dhe Krishtlindja na kujton detyrimet tona për t’i ndarë këto të mira me të tjerët. Ka shumë amerikanë që vuajnë dhe kërkojnë dikë t’i ndihmojë”.

Presidenti Bush u bëri thirrje amerikanëve që të mos harrojnë ata që vuajtën si rezultat i uraganëve dhe katastrofave të tjera që goditën Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.

Në fjalimin e tij të përjavshëm radiofonik nga vendpushimi presidencial Camp David zoti Bush tha gjithashtu se amerikanët duhet t’u jenë mirënjohës ushtarakëve që po shërbejnë në kushte të rrezikshme. “Kujtojmë me krenari anëtarët e forcave tona të armatosura që po ruajnë sigurinë e vendit tonë dhe mbrojnë lirinë në botë. Në Irak, Afganistan e gjetkë, ata mbrojnë lirinë tonë duke u dhënë liri të tjerëve dhe të gjithë amerikanët u janë mirënjohës trupave tona për kurajon dhe angazhimin e tyre”.

Presidenti Bush nderoi në mënyrë të veçantë të rënët për kauzën e lirisë e, siç u shpreh ai, “për të shpëtuar miliona jetë nga tirania dhe vuajtjet”. Zoti Bush bëri thirrje për më shumë frymë vullnetare dhe shprehje të dhimshurisë gjatë vitit që vjen.

Në fjalimin e përjavshëm radiofonik të demokratëve, ligjvënësi nga Karolina e Jugut, James Clyburn, kritikoi ligjin e miratuar nga kongresi i kontrolluar nga republikanët mbi shkurtimin e shpenzimeve në programet qeveritare për të varfërit, ndërkohë që shton përfitimet nga taksat për të pasurit. Ai tha se këto politika fiskale janë të pajustifikueshme, veçanërisht në kohë lufte. “Sa herë që Amerika hyn në luftë, qytetarëve amerikanëve nga të gjitha fushat e jetës u është kërkuar të bëjnë sakrifica. Por jo këtë herë. Ndërsa të rinj e të reja guximtare luftojnë për të mbrojtur liritë tona, republikanët po pakësojnë shërbimet për familjet e tyre në atdhe, kurse, pa nevojë dhe padrejtësisht, shkurtojnë taksat për të pasurit”, tha zoti Clyburn.

Presidenti Bush është shprehur se shkurtimi i taksave është i nevojshëm për ta mbajtur gjallë rritjen ekonomike. //rd//

XS
SM
MD
LG