Lidhje

Ceremoni përkujtimore me rastin e njëvjetorit të cunamit në oqeanin Indian


Vendet më të goditura nga cunami në oqeanin Indian zhvilluan ceremoni përkujtimore me rastin e njëvjetorit të kësaj fatkeqësie për rreth 230 mijë viktimat.

Në krahinën Açeh të Indonezisë, të mbijetuarit e cunamit mbajtën një minutë heshtje në përkujtim të momentit kur si sot një vit më parë, dallgët me lartësi 10 metra goditën brigjet e Oqeanit Indian.

Presidenti indonezian, Susilo Bambang Judojono, e filloi ceremoninë përkujtimore në orën 8:16 të mëngjesit, sipas orës lokale. Në fjalën e tij, ai u lut që viktmat e katastrofës të pushojnë në paqe. Numri i viktimave të cunamit në Indonezi mendohet të jetë rreth 170 mijë.

Ceremonia kryesore në Sri Lanka u zhvillua në fshatin Peralia, ku dallgët gjigande nxorën nga shinat një tren pasagjerësh dhe shkaktuan vdekjen e më shumë se 1000 vetëve. Në ceremoninë që u zhvillua pranë vendit të ngjarjes, Presidenti i Sri Lankës, Mahinda Raxhapaksi, zbuloi një memorial në formën e valës së detit kushtuar viktimave. Por ai pranoi se qeveria nuk ka shpërndarë ndihma në mënyrë të efektshme për të 1 milionë banorët e pastrehë. Numri i viktimave në Sri Lanka, sipas autoriteteve, mendohet të jetë më shumë se 30 mijë.

Kryeministri i Tajlandës, Thaksin Shinauatra, vuri gurin e themelit të një memoriali në Kao Lak, plazhi turistik që u godit më fort nga cunami, i cili u kushtoi jetën më shumë se 8 mijë vetëve në Tajlandë.

Edhe në Indi u zhvilluan ceremoni përkujtimore përrreth 18 viktimat indiane.

Katastrofa la të paktën 2 milionë banorë të pastrehë. //az//

XS
SM
MD
LG