Lidhje

SHBA: Në sezonin e festave përkujtohen edhe të rënët në luftrat amerikane


Gjatë sezonit të festave shumë amerikanë blejnë dhurata dhe mblidhen me familjen e miqtë e tyre për të festuar. Por ka nga ata që në këtë sezon festash vizitojnë përkujtimoren e Veteranëve të Luftës së Vietnamit në Uashington, për të lënë mesazhe shprese ose për të kujtuar bashkëluftëtarët:

Pema e Vitit të Ri që zbukuron parkun pranë Përkujtimores së Luftës së Vietnamit mund të mos jetë aq shumë-ngjyrëshe sa zbukurimet e pemëve të tjera. Por për veteranët që morën pjesë para disa ditësh në ceremoninë e përvitshme përkujtimore, pema dhe zbukurimet e saj mishërojnë një mesazh të fuqishëm.

Pat Scruggs është president i Fondit për Përkujtimoren e Luftës së Vietnamit: "Jemi mbledhur që të ruajmë kujtimin, të tregojmë mirënjohjen për ushtarët amerikanë kudo në botë, veçanërisht ata që ndodhen në rajone luftimesh. Për këtë shërben kjo pemë."

Veteranët lexojnë mesazhe nga e gjithë bota. Mesazhet nderojnë kujtimin e atyre që luftuan në Vietnam si dhe të të gjithë ushtarëve që vazhdojnë shërbimin jashtë vendit. Pas leximit të mesazheve dhe vendosjes së tyre në pemë, pema u vendos në qendër të Përkujtimore së Luftës së Vietnamit.

Ted Daniel mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore dhe në Luftën e Koresë. Ai është pjesëtar i shoqatës mbarëkombëtare të motorçiklistëve, Rolling Thunder, Gjëmimi Rrokullisës, që nderon kujtimin e të rënëve: "Është shumë pozitive, thotë ai, që njerëzit ende kanë ndjenja për ato vite, njerëzit vazhdojnë ta vizitojnë përkujtimoren. Pikërisht këtë synojmë."

Përkujtimorja u projektua nga kinezo-amerikania Maya Ying Lin. Në pllakat e granitit të zi janë gdhendur emrat e më shumë se 58 mijë vetëve që u vranë ose figurojnë të humbur që në kohën e Luftës së Vietnamit: "Do të ishte mirë që të mos shihnim më luftë, që të mos të na duhej të luftonim," thotë veterani Ted Deniël. Për të gjithë ata që luftuan dhe u vranë, përkujtimorja dhe pema e Vitit të Ri qëndrojnë si dëshmitarë të heshtur.

XS
SM
MD
LG