Lidhje

Forcat Detare të Shqipërisë festuan sot 80 vjetorin


Flota Detare e ushtrisë shqiptare përkujton sot 80 vjetorin e themelimit të saj, me një seri veprimtarish dhe dekorimesh të disa përfaqësuesve të saj të njohur. Brezat e detarëve shprehën vlerësimet për punën dhe kontributin e kundëradmiralit Abdi Mati dhe shumë komandantëve të tjerë në flotën shqiptare. Me këtë rast u përurua edhe ndërtesa e re e komandës së Distriktit detar të Durrësit, që u ngrit nga një financim i përbashkët shqiptaro-turk.

Historia e re Flotës shqiptare fillon pikërisht në 25 dhjetor 1925, qeveria e Tiranës bleu dy anije nga Italia për të ndjekur kontrabandistët.

“Kjo është një ditë e shënuar për Flotën Shqiptare, sepse pikërisht në 25 dhjetor 1925 u blenë dy anije nga Italia, të cilave ju vunë emrat domethënës “Shqipëria” dhe “Skënderbeu”, për të patrulluar ujërat shqiptare dhe për të luftuar kondrabandën. Në kronikat e shtypit të kohës shkruhet se anijet e ankoruara një milje larg bregut zbrazën tre herë topat për të përshëndetur qytetarët e shumtë që kishin dalë në breg për të ndjekur ceremonitë e kësaj ngjarjeje të veçantë dhe më pas nisën lundrimin.” - thotë një zoti Kërcelli.

Shefi i marrëdhënieve civilo - ushtarake në Distriktin detar të Durrësit, Shefqet Kërcelli, thotë se nga rradhët e marinës shqiptare doli edhe dëshmori i parë i rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinaku, që ishte kapter i marinës mbretërore. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Mbretërore marina shqiptare u ringrit me disa anije trofe të luftës më 15 gusht 1945. Pak vite më vonë, në shtator 1958, u krijua njësia e nëndetëseve dhe në vitet 60 u çel edhe Akademia e Detarisë.

Por historia e detarisë shqiptare është shumë e lashtë jo vetëm në ndërtim anijesh me konstruksione të rralla, por edhe me lundrimin e shqiptarëve në hapësirat e detrave Adriatik e Jon, dhe më gjerë në Mesdhe. Zoti Kërcelli thotë se Flotes i nevojitet një muzeum i mirëfilltë i detarisë dhe kjo është shumë e mirëpritur nga banorët e qyteteve bregdetare. “Në të gjitha qytetet bregdetare të Mesdheut janë ngritur muzeume të mëdha detarie, dhe një i tillë i duhet edhe Shqipërisë. Një muzeum i tillë do t’u tregonte shumë vizitorëve mbi traditat shqiptare të lundrimit.

Nga ana tjetër, kjo do të rivlerësonte dhe do të plotësonte muzeumet e tjera që janë në qytetin e Durrësit, dhe mjaft qytetarë e intelektualë të bregdetit janë të interesuar dhe e mirëpresin këtë nismë. Po ashtu edhe një muzeum i Luftës së Ftohtë në Vlorë do të ishte mëse i nevojshëm” - thekson zoti Kërcelli.

Ashtu si gjithë ushtria, edhe Flota shqiptare po punon për të plotësuar standartet e anëtarësimit në NATO. Zyrtarët shqiptarë veçojnë si investimet më të spikatura në Forcat Detare marrëveshjen me kompaninë amerikane Lockhed Martin për modernizimin e sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare, si dhe pajisjen në vitet e ardhshme e Forcave Detare me anije të reja.

XS
SM
MD
LG