Lidhje

Presidenti Bush kujton ushtarët në ditën e Krishlindjeve


Presidenti Bush po e kalon fundjavën e festës me familjen e tij në Kamp David, vendpushimi presidencial pranë Uashingtonit. Trupat amerikane larg familjeve të tyre ishin në mendjen e presidentit në këto Krishlindje.

Presidenti ja kushtoi një pjesë të madhe të fjalimit të tij të përjavshëm në radio, punës së trupave amerikane të dislokuara në mbarë globin. Në natën e Krishlindjeve, ai i kujtoi ata në një mënyrë më personale, me telefonatat që u bëri nëntë burrave dhe grave të ushtrisë amerikane që shërbejnë në Irak.

Duke u shfaqur sot në mëngjes në televizionin amerikan, ushtaraku më i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se është e vështirë për ushtarët të jenë larg familjeve të tyre në këtë kohë të vitit.

Por kreu i shtatëmadhorisë amerikane, gjenerali i marinës Peter Pace, i tha sot një programi të rrjetit televiziv Fox News, se trupat e tij kanë arsye për ta shënuar këtë sezon festash me një ndjenjë krenarie për rezultatet e arritura. "Kanë arritur shumë --- po të kemi parasysh përpjekjet për mëkëmjen nga cunami dhe nga uragani Katrina, për ndihmat në Pakistan, për zgjedhjet e dyta parlamentare të Afganistanit, dy zgjedhjet dhe referendumin për Kushtetutën në Irak. Në këtë ditë krishtlindjesh, megjithëse larg shtëpive, ata ndihen krenarë që janë pjesë e ngjarjeve kaq të rëndësishme historike", tha gjenerali.

Në një tjetër emision sot në mëngjes, ish sekretari amerikan i shtetit, gjenerali në pension Colin Powell solli kujtimet e ditëve të festave që kalonte larg familjes kur shërbente në ushtrinë amerikane. Ai tha se Krishlindjet janë periudha më e vështirë për familjet e ushtarakëve sepse ata kanë një karrige bosh në tavolinë, sesa për amerikanët që shërbejnë në luftë."Mendoj se kjo vjen nga pasiguria dhe rreziku. Nuk je i sigurtë se ku është i afërmi yt, apo në sa rrezik është ai ose ajo në atë moment pasi për të mos shqetësuar familjen, ata nuk i tregojnë se në ç’rrezik mund të jenë. Ata duan të qetësojnë njerëzit e familjeve dhe në të njëjtën kohë familjarët mundohen të qetësojnë ata që janë larg tyre".

Kjo ishte intervista e parë e zgjeruar që jep zoti Powell për mediat që pas largimit nga Departamenti i Shtetit. Në Intervistë, zoti Powell iu referua zgjedhjeve të fundit në Irak si historike, por ai parashikoi se do të duhen ndoshta gjashtë apo tetë muaj për të krijuar qeverinë e re. Ai tha se kjo periudhë do të jetë e pasigurt dhe theksoi se duhen mbajtur parasysh qendrimet e të gjitha komuniteteve etnike në Irak.

XS
SM
MD
LG