Lidhje

Zhvillimet kryesore në mjekësi dhe shkencë gjatë vitit 2005


Gjatë vitit 2005, në fushën e shkencës dhe mjekësisë u arritën shumë rezultate, por edhe disa objektiva mbetën të pa realizuara. Për shembull, u arrit klonimi i qenit, sëmundja e poliomelitit në shumë vende u zhduk dhe vaksina kundër malaries u provua me sukses. Por shkencëtarët nuk mundën të parashikonin me saktësi vërshimin e uraganëve, organizatat shëndetsore nuk i përmbushën premtimet e tyre për trajtimin me ilaçe kundër virusit të gjithë personat e prekur nga Sida, ndërsa gripi i shpendëve pritet të jetë një nga sfidat më të mëdha për vitin 2006 në fushën e mjekësisë.

Klonimi i kafshëve

Qeni Snupi doli për herë të parë gjatë një konference shtypi në Seul gushtin e kaluar. Edhe pse kafshë të tjera janë klonuar më parë, klonimi i qenëve ka qenë më i vështiri. Meqenëse qentë vuajnë nga një numër sëmundjesh që prekin edhe njerëzit, shkencëtarët shpresojnë se kërkimet gjenetike tek qentë do të rezultojnë në përmirësimin e shëndetit për të dy palët. Biologu amerikan, Gerald Schatten, ka punuar me professorin Huang Uoo Suk në këtë eksperiment: “A nuk do të ishte e mrekullueshme që miku më i ngushtë i njeriut të përfitojë nga mjekësia e qelizave embrionale. Po të zbulojmë nëse këto metoda janë të sigurta dhe të efektshme tek qentë, ne gjithashtu mund të kuptojmë nëse janë të sigurta dhe të efektshme për njeriun”.

Profesori Huang, kërkimet e të cilit rezultuan në klonimin e Snupit, ka njoftuar gjithashtu se ka arritur të krijojë koloni qelizash embrionale nga pacientë përmes klonimit; arritje që konsiderohet një hap më afër objektivit për riparimin e indeve të dëmtuara. Por nga fundi i vitit pati pretendime se një pjesë e kësaj pune ishte e falsifikuar. Këto zëra janë hedhur poshtë, por një studim mbi këtë çështje u tërhoq nga qarkullimi deri sa profesori Huang të mund të riprodhojë eksperimentet e tij.

Gripi i shpendëve

Gripi i shpendëve është një problem tjetër që shqetëson si mjekët edhe shkencëtarët. Sëmundja po përhapet përmes shtegtimit të zogjve. Shpendë të infektuar janë gjetur në Azi dhe Evropë dhe mendohet se është vetëm çështje kohe kur virusi vdekjeprurës do të arrijë të përhapet nga njeriu tek njeriu. Ekziston frika që një epidemi e gripit të shpendëve mund të përhapet me shpejtësi, siç ndodhi me gripin e shpendëve në vitin 1918, kur 20 milionë deri në 50 milionë njerëz humbën jetën për shkak të kësaj sëmundjeje. Deri tani nuk është zbuluar ndonjë vaksinë kundër këtij virusi.

Ngrohja globale

Ndër zhvillimet e tjera, kemi alarmin lidhur me ndryshimin e klimës. Ministri kanadez për çështje të mjedisit tha këto fjalë në një konferencë ndërkombëtare mbi ngrohjen globale: “Delegatë të nderuar, ju e keni justifikuar besimin që banorët e globit na kanë dhënë. Përballë kërcënimit më të rëndë ekologjik ndaj njerëzimit, ju jenë shprehur se bota është e bashkuar dhe dora-dorës ne do ta fitojmë këtë betejë”.

Më shumë se 150 vende ranë dakord për bisedime lidhur me standarde të detyrueshme për pakësimin e gazeve-serë. Shtetet e Bashkuara kanë pranuar të marrin pjesë në një dialog për gjetjen e rrugëve dhe marrjen e masave kundër ndryshimeve klimatike. Për ngrohjen globale, disa shkencëtarë kanë fajësuar fuqinë dhe numrin e madh të uraganeve të rrezikshme. Të tjerë e kanë hedhur poshtë këtë ide. Por askush nuk mund të mohojë faktin që paraqiti Kondrad Lautenbauher i Administratës Oqeanike dhe Atmosferike Kombëtare amerikane.

“Kaluam një stinë rekord përsa u përket uraganëve. Në vitin 2005 pati 28 stuhi tropikale, ndër të cilat 13 uragane, 3 prej tyre ishin të kategorisë pesë. Ndoshta kjo ishte stina më shkatërrimtare e uraganeve në histori”.

Misionet në hapësirë

Në muajin korrik, anija për vajtje-ardhje në hapësirë, Diskovery filloi misionin e duke i dhënë kështu fund pezullimit prej më shumë se dy vjetësh të misioneve amerikane në hapësirë. Të gjitha fluturimet hapësinore amerikane ishin anulluar pas shpërthimit të anijes Kolumbia në vitin 2003 gjatë kthimit të saj në Tokë. Në zhvillimet e tjera lidhur me hapësirën, astronomët amerikanë thonë se kanë zbuluar planetin e 10-të të sistemit tonë djellor, shumë përtej Plutonit.

Sëmundja e poliomelitit

Në vitin 1988, bota shënoi 350 mijë raste të prekjes nga poliomeliti. Me kalimin e kohës, rastet kësaj sëmundjeje u pakësuan dhe në vitin 2005 u regjistruan vetëm 1mijë e 500 raste. Sëmundja e poliomelitit tani është e pranishme në vetëm 6 vende; Egjipt, Niger, Nigeri, Afganistan, Pakistan dhe Indi. India parashikon që në vitin 2006 të mos ketë asnjë rast të kësaj sëmundjeje. Por shqetësimi është se 11 vende dikur të prekura nga kjo sëmundje, si Indonezia, Somalia dhe Jemeni, të njoftojnë mbi raste të reja poliomelitit në vitin 2006.

Sëmundja Sidës

Në luftën kundër Sidës, Oganizata Botërore e Shëndetësisë nuk arriti të realizojë objektivin e saj për përfshirjen 3 milionë pacientëve të sidës në programin për trajtimin e sëmundjes me ilaçe kundër virusit HIV. Në botë ka rreth 40 milionë persona të prekur nga virusi HIV dhe 14 vende të prekura më rëndë nga kjo sëmundje tani ofrojnë terapi anti-virale për të paktën 50 përqind të atyre që kan nevojë për të.

Sëmundja e malaries

Kundër sëmudjes së malaires u bë përparim. Në vitin 2005, shkencëtarët njoftuan për sukses në luftën kundër mushkonjës anofele dhe parazitëve të malaries, ndërsa një vaksinë eksperimentale e provuar në Mozambik po ofron imunizimin e parë të suksesshëm kundër kësaj sëmundjeje. Malaria vazhdon të prekë vendet e varfëra duke shkaktuar çdo vit vdekjen e 1 milonë vetave.

XS
SM
MD
LG