Lidhje

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu mbi arritjet dhe problemet e vendit gjatë vitit 2005


Për të biseduar për disa nga arritjet dhe problemet e Shqipërisë gjatë vitit 2005, Zëri i Amerikës zhvilloi një intervistë me Presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Zëri i Amerikës: Zoti President, pas 8 vjet qeverisjeje nga socialistët, Shqipëria tani udhëhiqet nga një qeveri e së djathtës. Në kushtet kur sapo kanë perfunduar 100 ditet e para të kësaj qeverie, si do t'i vlerësonit perpjekjet e para për realizimin e programit te saj?

Alfred Moisiu: Këtë pyetje mua ma kanë bërë këto ditët e fundit edhe shumë gazetarë dhe unë kam deklaruar dhe sigurisht edhe juve do t’u them që kjo nuk është detyra ime si president. Në radhë të parë i takon qeverisë e cila dhe e bëri mbrëmë, ku kryeministri foli për arritjet e këtyre ditëve. U takon sigurisht instituteve dhe medias. Megjithatë unë mund të them që ky rotacion që u bë në mënyrë paqësore dhe përfundoi më datën 2 shtator të këtij viti ishte një arritje shumë e madhe e demokracisë shqiptare, e politikës shqiptare por në mënyrë të veçantë e elektoratit shqiptar. Për herë të parë neve vërtet arritëm ta kapërcejmë këtë tabunë e ashtuquajtur të zhvillimit me sukses të zgjedhjeve që nuk mund të them që patën të meta, por më në fund u arrit qëllimi për zgjedhjet dhe patëm një rotacion të qetë dhe shumë paqësor. Nuk mund të them që 100 ditë nuk janë shumë për një qeveri që e ka një mandat katër vjeçar. Megjithatë, unë shpresoj që objektivat që ka planifikuar qeveria e Partisë Demokratike me në krye zotin Berisha të arrihen. Ai është një program vërtet ambicioz dhe unë atë e kam mbështetur që në fillim dhe vazhdimisht kështu që shpresoj se këto objektiva ta çojnë vendin tonë përpara drejt integrimit euro-atlantik.

Zëri i Amerikës: Marrëdhëniet pozitë-opozitë vazhdojnë të jenë të acaruara. Sa e vështirë bëhet detyra juaj në kushtet e zhvillimit të një politike konfliktuale?

Alfred Moisiu: Përpara se të shtjelloj pyetjen tuaj, dëshiroj të shtoj se është e vërtetë që unë jam zgjedhur me konsensus, por aty edhe mbaron konsensusi, në kuptimin e mirë të fjalës, pra bëhet zgjedhja me konsensus, por presidenti duhet të veprojë e të zbatojë kushtetutën dhe kërkesat e tjera ligjore që janë të detyrueshme për këdo qoftë dhe sido që të zgjidhet. Sigurisht që unë kam patur një avantazh nëse mund ta quajmë të tillë, që nuk kam patur asnjë forcë politike mbas shpine. Por nuk mund të them që unë nuk i përkas asnjë partie. Unë i përkas Shqipërisë, që është partia kryesore, dhe unë gjatë gjithë kohës jam përpjekur që të marrë vendime, të bëj veprime të tilla që të përputhen plotësisht me interesat e vendit dhe të popullit tim. Nuk mund të them që gjithmonë kjo ka qenë e lehtë sepse çdo vendim, çdo veprim i marrë, dikujt i pëlqen e dikujt jo. Patjetër ka qenë një përvojë e madhe jo vetëm për mua por në tërësi mendoj se ishte edhe një arritje e politikës shqiptare në kuptimin e asaj që në fund të fundit, ka situata të cilat duhen përballuar me forcat e politikës shqiptare dhe unë mendoj se ky eksperiment dhe kjo arritje tregoi që politika shqiptare i ka mundësitë për të zgjidhur dhe kapërcyer situatat sido që të jenë ato.

Zëri i Amerikës: Zoti president, lufta kundër korrupsionit kërkon një sistem gjyqësor të pakorruptuar dhe efikas. A mendoni se janë ndërmarrë hapat e duhur në luftën kundër këtij fenomeni gjatë vitit 2005?

Alfred Moisiu: Është e vërtetë që korrupsioni është një brengë që gërryen dhe bluan nga brenda çdo sistem dhe çdo shoqëri nëse nuk ndërpritet dhe nuk luftohet. Korrupsioni dihet që është një fenomen fatkeqësisht i përhapur tek ne dhe do të thoja jo vetëm në gjyqësor por në shumë qeliza të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Dhe sigurisht lufta mbi të duhet bërë në vazhdimësi. Diku ka patur suksese, diku jo por është një fenomen që duhet ta luftojmë dhe me këtë jam pajtuar që në fillim me programin e qeverisë së re dhe kam deklaruar mbështetjen time totale në luftën kundër korrupsionit. Përsa i përket gjyqësorit ai vërtet që cilësohet jo vetëm nga opinioni i brendshëm por edhe nga opinionet e analistëve dhe institucionet ndërkombëtare, sepse gjyqësori është shumë më i ndjeshëm dhe pastrimi i gjyqësorit ose vendosja e gjyqësorit në vijat kryesore të luftës kundër korrupsionit ka të bëjë me shëndoshjen në tërësi të drejtësisë shqiptare dhe shtetit dhe drejtimit në vend. Gjatë kësaj kohe janë luftuar tre kollonat kryesore në radhë të parë përsa i përket çështjes së formësimit të gjyqtarëve në mënyrë të veçantë duke krijuar shkollën e magjistraturës; në radhë të dytë përsa i përket përsosjes së organizimit, i cili do të vazhdojë dhe vazhdimisht unë kam kërkuar që në këtë drejtim të jemi sa më kërkues dhe të përsosim edhe më tej. Ka patur një program qeveria për organizimin e gjyqësorit që për fat të keq nuk mund të realizohej por shpresoj që tani të realizohet. Në të njëjtën kohë, krahas këtyre është ndjekur edhe ajo që nuk mund të quhet kryesorja por që është e rëndësishme në të njëjtën kohë: ndjekja dhe masat ndaj gjyqtarëve, të cilët nuk janë korrekt në kryerjen e detyrës. Në këtë drejtim janë marrë shumë masa dhe vazhdojnë të merren. Vetë fakti që ne kemi arritur të kemi një gjykatë të krimeve të rënda, e cila tani në janar mbush dy vjet nga puna me gjyqtarë djem dhe vajza të reja të cilët kanë mbaruar kryesisht shkollën e magjistraturës, tregon se në gjirin e juristëve shqiptarë veçanërisht në gjirin e gjyqësorit shqiptar ka njerëz të cilët vërtetë punojnë me vendosmëri, me përshkushtim dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Mund të përmend diçka që çuditërisht kundër kësaj gjykate janë ngritur disa të dënuar që kërkojnë shkrirjen e saj. Kjo është qesharake por që njëkohësisht tregon efikasitetin e kësaj gjykate.

Zëri i Amerikës: Zoti Moisiu, kthimi i pronave ka të bëjë direkt me krijimin e një sistemi të drejtë social dhe me zhvillimin e ekonomisë së tregut. A mendoni se janë të mjaftueshëm hapat e marrë deri më sot dhe si duhet zgjidhur ky problem?

Alfred Moisiu: Dua të them që çështja e pronave ka dy plagë të rënda, plagë të rënda nga sistemi diktatorial dhe deformime të pësuara gjatë këtyre 15 vjetëve, sepse në fakt Shqipëria ka patur për të kompensuar të gjithë ata pretendojnë se u është bërë padrejtësi dhe u është marrë toka dhe në fakt të tillë ka shumë. Por fatkeqësisht që në fillim ky problem nuk u kap mirë për mendimin tim dhe po të krahasohemi me vendet e tjera të Lindjes që kanë pasur të njëjtat fenomene dhe janë zgjidhur. Ndërsa tek ne akoma nuk është zgjidhur. Megjithatë, unë mendoj që ky problem po ecën me ngadalë dhe me vështirësi do të gjejë një zgjidhje. Ky është një ligj që unë gjithashtu nuk e kam dekretuar për vetë faktin se unë e ktheva për mangësitë e tija. Parlamenti i gjykoi pa vend vërejtjet e mija, nuk i mori parasysh dhe ligji hyri në fuqi dhe është në fuqi pa dekretin e presidentit. Unë mendoj që zgjidhja e këtij problemi është shumë i rëndësishëm për vetë faktin se ka të bëjë me zhvillimin e vendit tonë. Ne kemi vështirësi të presim e të kërkojmë të vijnë investitorë të huaj sepse në fund të fundit, pyetja e parë që bëhet është: e kujt është kjo tokë dhe me kë kam të bëj. Sigurisht që na duhet akoma të përballemi me këtë punë dhe shpresoj të arrihet zgjidhja e kësaj detyre.

Zëri i Amerikës: Një nga arritjet e vitit 2005 është caktimi për nënshkrimin e marrëveshjes së asocim-stabilizimit në pranverën e 2006-ës. A jeni optimist se Shqipëria do ti përmbushë kushtet e Bashkimit Evropian për nënshkrimin e marrëveshjes?

Alfred Moisiu: Sigurisht që unë jam optimist sepse kam qenë prej kohësh dhe unë dhe veten e kam kritikuar në këtë mes në kuptimin e mirë të fjalës si një optimist i pakorrigjueshëm. Gjykoj se do t’ja arrijmë qëllimit. Duhet thënë që Shqipëria është një nga vendet e para që ka hedhur hapat e para drejt integrimit. Fatkeqësisht, ngjarjet ndodhën, të cilat njihet se si janë, dhe nuk është vendi të përsëriten, dhe na kthyen mbrapsht. Po të shikojmë, vende të tjera fqinje si Maqedonia, që nisi mbas nesh, për fatin e tyre të mirë kanë ecur përpara, kurse ne mbetëm pas. Megjithatë kam bindje të plotë nga takimet që kam patur me personalitete të huaja ndërkombëtare që janë të angazhuar në vëzhgimin dhe drejtimin e këtyre proceseve se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që gjashtë mujorin e parë të vitit që vjen të arrijmë të nënshkruajmë marrëveshjen. Sigurisht puna është në dorën tonë në radhë të parë sepse ata nuk i komandojmë dot dhe ata do të na vlerësojnë sipas punës që do të bëjmë. Në këtë drejtim duhet të jemi më të kujdesshëm në të gjitha veprimet dhe vendimet që marrim t’i peshojmë mirë, të mos nxitohemi pasi këto punë po u nxitove, të lenë në mes të rrugës. Në tërësi shoqëria shqiptare, shteti shqiptar është e bindur katërcipërisht që duhet punuar përsa i përket integrimit. Dhe kjo nuk është meritë e asnjë partie politike për mendimin tim, por në radhë të parë është meritë e popullit, e elektoratit shqiptar dhe e gjithë forcave politike dhe kjo ka një vazhdimësi dhe dihet, kohë pas kohe, vit pas viti dhe gurë mbi gurë do të arrijmë të ndërtojmë rrugën e nevojshme për të arritur lidhjen me Bashkimin Evropian. Krahas kësaj po punojmë edhe për integrimin në NATO dhe që shpresojmë që në vitin 2008 të marrim ftesën nga aleanca për t’u integruar në të dhe në këtë drejtim Shqipëria ka bërë shumë hapa, veçanërisht punës së saj me forcat paqeruajtëse në Bosnje, Afganistan dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG