Lidhje

Thaçi: Për statusin e Kosovës vendosin qytetarët e saj


Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, Kosova më në fund ka hyrë në fazën e përcaktimit të statusit të saj të ardhshëm ose përfundimtar, siç dëshirojnë shqiptarët e Kosovës. A mendoni se tani pala shqiptare është plotësisht e përgatitur për vazhdimin e këtyre negociatave?

Hashim Thaçi: Është krijuar grupi negociator i cili është duke punuar në mënyrë të efektshme, i ka dorëzuar dokumentin e parë zotit Ahtisari, dokumentin për shtetin e pavarur dhe sovran, pjesë të caktuara të këtij dokumenti janë edhe pika të vizionit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, të projektit të Partisë Demokratike. Viti 2005 ka qenë viti i fillimit për nxjerrjen e vendimit përfundimtar për statusin politik të Kosovës dhe për Kosovën nuk duhet të ketë status të ardhshëm, por duhet të ketë vendim për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Zëri i Amerikës: Ju jeni në opozitë. Ka kritikë që thonë se ju dhe partia juaj nuk e keni gjetur ende veten si duhet në opozitë. Në fakt, cili ka qenë roli juaj në opozitë?

Hashim Thaçi: Partia Demokratike e Kosovës tash e një vit është në opozitë, është duke fuqizuar rolin e vet për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran, duke konsoliduar dhe legjitimuar demokracinë në vend, është duke dërguar misionet e veta tek çdo qytetar, dhe unë besoj se viti i ardhshëm do të jetë edhe viti i konsolidimit më të suksesshëm edhe të spektrit opozitar kosovar, por mbi të gjitha edhe opozitë, edhe pozitë në vitin 2006, duhet të jemi bashkarisht për të investuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, cili do të jetë vendi i serbëve të Kosovës në shtetin e ardhshëm të Kosovës?

Hashim Thaçi: Fillimisht dua të them se Grupi i Kontaktit, por edhe të gjithë ndërkombëtarët duhet të jenë më të qartë në garantimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe sa më tepër të jenë të qartë ndërkombëtarët për statusin politik, ne kosovarët do të jemi edhe më të përgjegjshëm përsa i përket respektimit dhe garantimit të të drejtave të minoritarëve. Por e them se shtetin e Kosovës mund ta ndërtojmë vetëm duke garantuar të drejtat e minoritarëve. Këto të drejta do ti garantojmë, edhe të drejtat e tyre për kthim, të drejtën e lëvizjes së lirë, të drejtën e tyre për jetë, punë dhe shkollë, të drejtën e tyre për të qenë qytetarë të barabartë në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Thjeshtë do të ndërtojmë demokraci qytetare me identitet shtetëror të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Pala shqiptare me sa dimë nuk ka përgatitur deri tani një platformë në të cilën të përfshijë se cfarë ofron konkretisht pala shqiptare për pakicën serbe në Kosovë. A do të përgatitet një platformë e tillë?

Hashim Thaçi: Pala kosovare shpesh ka përgatitur dhe prezantuar platforma për zgjidhjen e çështjes së minoritarëve, edhe tash veç është duke punuar në këtë drejtim, dhe e them me përgjegjësi të plotë se Prishtina është e përgatitur, ka përgjegjësi më të lartë për të garantuar të drejtat e serbëve, për ti integruar ata në jetën politike, institucionale dhe shoqërore të Kosovës, sesa ndikimi negative që mund të ndodhë dhe që po ndodh nga Beogradi. Pra, ne do ti garantojmë të drejtat e minoritarëve në jetën e re demokratike dhe në shtetin e ri, të ardhshëm, tonin.

Zëri i Amerikës: A do të lejoni ju që serbët e Kosovës të kenë ndonjë lloj autonomie brenda Kosovës, apo pushteti do të jetë i centralizuar?

Hashim Thaçi: Duhet t'i largohemi tendencave për enklavizimin e Kosovës, për decentralizimin në baza etnike apo të motivuara politikisht, por të kemi reformim të pushtetit lokal sipas standarteve demokratike. Pra, të investojmë në procesin integrues dhe assesi në ndarje të brendshme, qoftë territoriale, qoftë etnike. Shteti i ardhshëm i Kosovës do të jetë në territorin e respektuar dhe të garantuar ndërkombëtarisht, shtet i të gjithë qytetarëve të Kosovës, ku të gjithë qytetarët do ti gëzojnë të drejtat e veta të barabarta.

Zëri i Amerikës: A do të pranoni të bisedoni me Serbinë për çështjen e decentralizimit?

Hashim Thaçi: Tash jemi duke biseduar me ndërkombëtarët për mënyrën e bërjes së shtetit të Kosovës, jemi duke biseduar edhe me vendet fqinje që të kemi një rajon më demokratik, por në të ardhmen, sigurisht që do të ketë kontakte edhe për të zbatuar kritere të përbashkëta, demokratike, edhe në raportet Prishtinë-Beograd, por assesi për statusin e Kosovës. Për statusin e Kosovës, do të vendosin qytetarët e Kosovës, dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës është i njohur, pavarësia e plotë dhe e integruar në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO.

Zëri i Amerikës: Si i mendoni ju marrëdhëniet e ardhshme të Kosovës, pavarësisht nga statusi përfundimtar, me Shqipërinë dhe Serbinë?

Hashim Thaçi: Do të jenë marrëdhënie të shteteve fqinje, do të jenë marrëdhënie të bashkëpunimit, të interesave të përbashkëta, dhe natyrisht, vizioni im për rajonin është Kosova e pavarur, Mali i Zi i pavarur, Serbia e pavarur, ashtu siç është edhe Shqipëria e pavarur dhe të gjitha të integrohen në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO. Pra Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt, respekton kufijtë e secilit shtet, ashtu siç shpresoj dhe besoj se askush nuk do të ketë pretendime, veçanërisht Serbia në raport me Kosovën. Por ne duhet të investojmë në demokratizimin e rajonit, liberalizimin e kufijve dhe të kemi një rajon të hapur, demokratik dhe me vlera perëndimore. Dhe unë besoj se ky koncept do të ngadhnjejë .

XS
SM
MD
LG