Lidhje

Evropa fillon të ndjejë pasojat e ndërprerjes së furnizimit të Ukrainës me gaz natyror nga Rusia


Disa vende në Evropë kanë filluar të ndjejnë pasojat e ndërprerjes së furnizimit të Ukrainës me gaz natyror nga Rusia.

Zyrtarë austriakë, hungarezë, polakë dhe sllovakë të energjisë njoftuan dje për një rënie të furnizimit me gaz natyror rus nëpërmjet një rrjeti gazsjellësish që kalon nëpër Ukrainë dhe shkon në pjesë të tjera të Evropës.

Bashkimi Evropian thotë se komisioni i tij i energjetikës do të mblidhet të merkurën për të diskutuar rreth këtij zhvillimi.

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje Ukrainës dhe Rusisë të gjejnë një kompromis lidhur me mosmarrëveshjen e tyre rreth çmimit të gazit natyror.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se veprimi rus ngjall shqetësime serioze rreth përdorimit të energjisë si mjet për të ushtruar trysni politike.

Firma shtetërore ruse Gazprom kërkon ta katërfishojë çmimin e gazit që i shet Ukrainës. Ajo thotë se Ukraina është një ekonomi tregu dhe duhet të paguajë çmime tregu.

Ukraina thotë se me rritjen e papritur të çmimit, Kremlini po ushtron trysni ndaj ekonomisë së saj.

Firma Gazprom e ka akuzuar Ukrainën se ka vjedhur gaz nga gazsjellësi. Kievi ka thënë se në bazë të një marrëveshjeje të mëparshme me Moskën, Ukraina ka të drejtë të marrë 15 për qind të gazit që kalon nëpër territorin e saj.

XS
SM
MD
LG