Lidhje

Shtohet kërkesa për prodhimet organike në Shtetet e Bashkuara

  • Keti Skarrah

Industria e prodhimit të ushqimeve organike po rritet përherë e më tepër në Shtetet e Bashkuara. Prodhimet organike tashmë nuk shiten vetëm në dyqanet e specializuara dhe në tregjet fshatare, por edhe në supermarkete, për shkak të shtimit të kërkesës nga ana e konsumatorëve.

Prodhimi i ushqimeve organike realizon një xhiro prej 14,5 miliardë dollarësh në Shtetet e Bashkuara. Kjo përbën dy për qind të shitjes së përgjithshme të ushqimeve dhe pijeve. David Gagnon është anëtar i Shoqatës së Tregtisë së Prodhimeve Organike:

“Industria e ushqimeve organike ka shënuar rritje gjatë viteve. Që nga 1990-a, kjo industri është rritur 20 për qind në vit. Sipas një studimi të shoqatës së tregtisë së prodhimeve organike, vlerësohet se deri në vitin 2008, kjo rritje do të jetë 18 për qind në vit”- thotë ai.

Zoti Gagnon thotë se shifrat janë edhe më të larta për mishrat organike, shitja e të cilëve ka shënuar një rritje prej 30 për qind. Frika për sëmundje si ajo e lopës së çmendur, shqetësimet për përdorimin e dendur të antibiotikëve tek kafshët, si dhe për manipulimin gjenetik të produkteve janë disa prej arsyeve për këtë kërkesë të lartë për mishin organik. Zoti Gagnon thotë se amerikanët janë konsumatorët më të mëdhenj të produkteve organike, të pasuar nga evropianët, australianët dhe japonezët.

Më pak se gjysma e një për qind të prodhimeve bujqësore amerikane, sipas Departamentit amerikan të Bujqësisë, janë organike. Etiketa e ushqimeve organike i paralajmëron konsumatorët se prodhimet janë të paktën 95 për qind organike, pra pa pesticide, pa antibiotikë, pa rritje hormonale dhe jo të manipuluara gjenetikisht. 5 për qindshi tjetër i produkteve janë jo-organike, ose sintetike, mes të cilave majaja, substanca pektin, që përdoret për ta bërë kosin më të trashë, dioksidi i karbonit për ruajtjen e freskët për një kohë më të gjatë të produkteve, si gjiza.

Fermerët, si Harriet Behar, nga shteti qendror i Wisconsinit, thotë se etiketa për produktet organike e vendosur nga Departamenti amerikan i Bujqësisë është jetike për industrinë e produkteve organike:

“Kemi punuar shumë, që etiketa e produkteve organike të ketë kuptimin e duhur dhe ne duam ta ruajmë atë,” - thotë fermerja.

44 përqind e shitjeve të përgjithshme të ushqimeve organike vitin e kaluar u kryen në supermarketet dhe dyqanet e tjera ushqimore. Zoti Gagnon thotë se çmimet e larta të produkteve organike, duket se nuk kanë bërë që shitja e tyre të pakësohet:

“Ushqimet organike përfaqësojnë koston e vërtetë të produkteve ushqimore. Zakonisht, për prodhimin e produkteve organike pa kimikate, nevojitet më tepër se puna fizike. Diçka tjetër që po shohim është se ndërsa prodhimet bujqësore kanë prirjen të jenë përherë e më tepër organike dhe hendeku mes ushqimeve organike dhe atyre të zakonshme po pakësohet përherë e më tepër.”

Zoti Gagnon thotë se vizita kohët e fundit e Princit Charles të Britanisë në një treg me produkte organike të Kalifornisë e shtoi interesin për këto produkte.

“Mendoj se njerëzit tashmë janë të ndërgjegjshëm për të përdorur sa më tepër prodhime organike, të cilat ata e ndjejnë se janë më të mira për ta dhe për mjedisin dhe tani po shohim pikërisht këtë prirje.”

Fermat me prodhime organike praktikohen tashmë në rreth 100 vende të botës, me më tepër se 25 milionë hektarë tokë, të mbjella me metodat e prodhimit të produkteve organike. Siç u shpreh kohët e fundit një specialist i industrisë, “prodhimet organike janë gjithashtu me shumë interes për fermerët.” //lk

XS
SM
MD
LG