Lidhje

Gazpromi thotë se do të shtojë sasinë e gazit natyror që dërgon në Evropë përmes Ukrainës


Kompania ruse e energjisë Gazprom thotë se do të shtojë sasinë e gazit natyror që dërgon në Evropë përmes Ukrainës. Njoftimi u dha ndërkohë që Rusia e akuzoi Ukrainën për vjedhje të gazit që është i destinuar për në Evropë.

Zyrtarët e Gazpromit thonë se do ta shtojnë sasinë e gazit që dërgojnë në Evropë përmes Ukrainës pasi disa vende u ankuan se sasia që po u mbërrinte ishte më e ulët.

Zyrtarët rusë thonë se kjo ndodh pasi Ukraina po tërheq nga tubacionet që kalojnë përmes territorit të saj, sasi për vete nga gazi që shkon për në Evropë. Zyrtarët ukrainas e mohojnë këtë, por shtojnë se mund ta bëjnë një gjë të tillë në se kriza e gazit vazhdon.

Rusia vendosi ta ndërpresë gazin për Ukrainën të djelën për shkak të mosmarrëveshjes mbi çmimin. Por dje shumë vende, përfshirë Poloninë dhe Austrinë thonë se nivelet e rezervave kanë rënë.

Rusia kërkon katërfishimin e e çmimit të gazit që i shet Ukrainës, nga 50 dollarë për një mijë metra kub që është tani, në 230. Ukraina thotë se çdo ngritje çmimi duhet të jetë me faza dhe e akuzon Moskën se po ushtron trysni politike.

Mosmarrëveshja lindi një vit pas ardhjes në pushtet në Ukrianë të presidentit pro-perëndimor Viktor Jushçenko.

Roland Nash, zyrtar i bankës investuese në Rusi, Renaissance Capital, thotë se mosmarrëveshja ka brenda saj elementë si politikë edhe ekonomikë.

“Është e qartë se për Gazpromin do të ishte më rë të paguhej më shumë. Por duket se është më tepër se koincidencë që ky acarim ndodh pas ardhjes së një regjimi pro-evropian, anti-rus në Ukrainë.”

Ndërprerja e gazit bëhet ndërsa Rusia merr kryesinë e radhës të Grupit të 8-shes, për 2006.

Presidenti Vladimir Putin, thotë se qëllimi i tij kryesor për këtë vit është shtimi i sigurimit për sektorin energjitik, një objektiv logjik po të kihet parasysh pozita e Rusisë si një prej eksportueseve kryesore në botë të energjisë. Por mosmarrëveshja me Ukrainën po shton shqetësime se Moska mund t’i përdorë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit për t’u ushtruar padrejtësisht trysni klientëve të saj.

Evropa varet nga Rusia për gjysmën e sasisë së gazit natyror që konsumon si dhe për një pjesë të madhe të naftës që përdor.

XS
SM
MD
LG