Lidhje

Presidenti palestinez Abas paralajmëron shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare


Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, tha se do të japë urdhër për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për më 25 janar, në rast se Izraeli zbaton një kërcënim për të penguar arabët e Jeruzalemit lindor që të marrin pjesë në zgjedhje.

Zoti Abas, partia Fatah e të cilit përballet me konkurencë të fortë nga lëvizja ekstremiste palestineze Hamas, u ka rezistuar deri tani thirrjeve të partisë Fatah për shtyrjen e zgjedhjeve. Në komentet që bëri sot, presidenti Abas tha se të gjitha fraksionet ishin të një mendimi me të për shtyrjen e zgjedhjeve të 25 janarit.

Muajin e kaluar një zëdhënës izraelit tha se Izraeli nuk do t’i lejonte arabët e Jeruzalemit lindor që të votojnë për kandidatët e grupit Hamas, grup ky që është zotuar për shkatërrimin e Izraelit. Megjithatë, zëdhënësi tha se nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.

Ligjvënësit palestinezë i dërguan një letër zotit Abas në të cilën i kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve. Njëri prej nënshkruesve të letrës tha se në letër citohej gjendja në rënie e sigurisë në Gaza si dhe kërcënimi i Izraelit për të penguar pjesëmarrjen në votime të arabëve të Jeruzalemit lindor.//lk

XS
SM
MD
LG