Lidhje

Vaksinë e re për gripin


Njerëzit që bëhen nervozë nga gjilpërat, janë më të rehatuar tani me një vaksinë të re për gripin që nuk kërkon shiringë, por që merret përmes hundës. Megjithë optimizmin se ajo do të rrisë numrin e atyre që kërkojnë të vaksinohen, përsëri ka shqetësime lidhur me komplikacionet që mund të sjellë kjo vaksinë tek pacientë të veçantë.

William-it 8 vjeçar nuk i pëlqejnë gjilpërat.

Por gjatë vizitës së fundit tek mjeku, ai ishte i kënaqur. Këtë herë Williami mori vaksinën e gripit përmes hundës.

Ky lloj vaksinimi ka dalë qysh në vitin 2003 dhe një studim i fundit tregon se jo vetëm që është i sigurtë por edhe i efektshëm njëlloj si injeksioni. Doktor Hector Izurieta është studiues në Agjencinë për Ushqimet dhe Ilaçet.

“Midis 2 milion e gjysmë njerëzve që marrin vaksinën, jemi informuar për vetëm 460 rasta ku ka patur probleme. Ky është numër i pakonsiderueshëm”.

Por përsëri më i lartë sesa numri i problemeve që ndodhin me vaksinën tradicionale me injeksion.

“Në disa raste ka patur reaksione serioze alergjike. Në disa raste pacientët me azëm janë keqësuar”.

Vaksina quhet FluMist dhe rekomandohet për njerëzit nga mosha 5 deri në 49 vjeç që nuk kanë sëmundje kronike, azmë. Vaksina nuk rekomandohet për gratë shtatëzënë.

Mjeku James Mattey, pediatër në Bethesda të Marylandit, thotë se disa njerëz që marrin vaksinën nga hunda mund të kenë simptoma të të ftohurit, por prapë janë të kënaqur që nuk bëjnë gjilpëra.

“Shpresojmë të rritet numri i atyre që do të vaksinohen para dimërit për të mbrojntur kështu një numër të madh njerzish nga gripi në Shtetet e Bashkuara”.

Dhe kjo është një arsye e mjaftueshme po të kihet parasysh fakti që gati 250 deri në 500 mijë njerëz vdesin nga komplikacionet e gripit çdo vit.

XS
SM
MD
LG