Lidhje

Irak: Të paktën 6 të vrarë nga një sulm ajror amerikan


Autoritetet irakiane thonë se nga një sulm ajror amerikan është shkatërruar një shtëpi në Irakun verior dje vonë dhe disa anëtarë të të njejtës familje janë vrarë, por ka njoftime kundërthënëse rreth numrit të viktimave.

Policia irakiane në Bayji, ku ndoshi goditja, thotë se 6 ose më shumë njerëz të të njejtës familje janë vrarë.

Oficerë të ushtrisë amerikane në Bagdad nuk kanë bërë komente për raportin e policisë, por lëshuan një deklaratë në të cilën thuhet se pilotët amerikanë goditën me predha me precizion dje vonë kundër 3 personave në Bayji, që me sa duket kishin vënë bomba në anë të rrugës në rajon.

Sot më herët, zyrtarët ushtarakë thanë se një atentator vetvrasës përplasi makinën e tij bombë me një autobuz, duke shkaktuar vrasjen e tre policëve në afërsi të Baqubës, në veri të Bagdadit.

Në një zhvillim tjetër, zyrtarët e komisionit të zgjedhjeve në Irak thonë se një ekip ndërkombëtar ka filluar të shqyrtojë ankesat që kanë lidhje me zgjedhjet parlamentare të muajit të fundit, gjë që mund të sjellë vonesa në shpalljen e rezultateve përfundimtare të votimeve.

Al Pessin, Pentagon

Komandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme thotë se ai dëshiron që këtë vit të përshpejtojë dorëzimin e përgjegjësive të sigurisë forcave irakiane. Gjatë një interviste për gazetarët që udhëtonin me të në Irak ditët e fundit, gjenerali tha se kjo është e vetmja mënyrë që irakianët të marrin nën kontroll të ardhmen e tyre.

Në një intervistë me korrespondentët e gazetës USA Today dhe Knight Ridders, gjenerali John Abizaid tha se oficerët amerikanë nganjëherë hezitojnë kur flitet për dorëzimin e përgjegjësive të sigurisë në duart e irakianëve. Gjenerali e pranoi se ka rreziqe që shoqërojnë vënien në krye të sigurisë të oficerëve dhe ushtarëve me pak përvojë. Por ai shtoi se oficerët amerikanë që kanë zhvilluar trajnimin duhet ta pranojnë se Iraku u përket irakianëve, dhe sapo atyre t’u jepen ato të cilat ai i quajti mjete të sovranitetit, ata duhet të lejohen të marrin timonin e drejtimit.

Gjeneral Abizaid tha se trajnuesit amerikanë e dinë se cilat skuadra irakiane janë gati, dhe se kur ndodhin gjëra të këqia atëhere detyra është të merren masa dhe të riparohen ato. Ai tha se këtë vit, çështjet e sigurimit duhet t’u transferohen ushtarëve irakianë, por theksoi se në disa pjesë të vendit kjo do të ndodhë më herët se sa në disa pjesë të tjera.

Gjenerali Abizaid tha se sfidat janë të shumta dhe këtu hyn edhe krijimi i një korpusi oficerësh irakianë që janë besnikë ndaj shtetit, dhe jo ndaj ndonjë politikani siç ndodhte më parë. Ai e pranoi gjithashtu se sistemi i ri politik në Irak ka qënë i dhunshëm, dhe mund të vazhdojë të jetë i tillë. Por, tha gjenerali, kjo nuk do të thotë se vendi është në prag të luftës civile.

Gjenerali Abizaid tha se amerikanët duan tërheqjen e trupave të tyre nga Iraku sepse, siç tha ai, mbajtja e tyre atje kushton shumë. Por ai tha se përpjekjet amerikane do të jenë të suksesshme nëse organizohen mirë forcat irakiane të sigurisë, nëse qeveria e re pranohet nga populli dhe nëse vazhdon përmirësimi i ekonomisë. Gjenerali theksoi se viti 2006 do të jetë vendimtar. Ai u tha gjithashtu gazetarëve se është optimist, kryesisht në aspektin ushtatarak.

XS
SM
MD
LG