Lidhje

2005, një vit i rëndë për gazetarët


Dy organizata ndërkombëtare që vëzhgojnë lirinë e shtypit në botë botuan raportet e tyre vjetore që tregojnë se 2005 ishte një vit i rëndë për gazetarët.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me seli në Nju Jork, thotë se vrasjet ishin shkaku kryesor i vdekjeve mes gazetarëve gjatë vitit që sapo u mbyll. Nga 47 vdekjet e dokumentuara nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në 2005, 37 ose 39 përqind e tyre, u bënë ose për t’u mbyllur gojën gazetarëve, ose për t’i ndëshkuar ata për punën e tyre.

Një grup tjetër i lirisë së shtypit, organizata me seli në Francë, Gazetarët pa Kufij, sipas të dhënave të saj, e vë në 63 numrin e gazetarëve të vrarë gjatë 2005.

22 gazetarë u vranë në Irak, vendi më i rrezikshëm për gazetarët gjatë 2005. Ann Cooper, drejtorja e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se rreziku më i madh për gazetarët në Irak nuk ishte lufta.

“Rreziku është ndryshe nga ç’mund të mendojnë njerëzit. Kryengritësit po i vënë qëllimisht në shenjestër gazetarët irakianë për vetë profesionin e tyre, ose pse po ndihmojnë gazetarët perëndimorë, ose për punën që ata bëjnë për shtypin vendas. Thjesht bërja e punës është bërë tepër e rrezikshme në Irak.”

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, se që nga fillimi i luftës në Irak, në mars të vitit 2003, në këtë vend kanë humbur jetën 60 gazetarë, duke e bërë konfliktin në Irak më vdekjeprurësin përsa u përket gazetarëve në historinë 24 vjeçare të vëzhgimit të gazetarëve nga ky grup.

Gjatë konfliktit në Ballkan nga viti 1991 deri më 1995, humbën jetën 36 gazetarë.

Katër gazetarë humbën jetën vitin e kaluar në Filipine, duke e bërë këtë vend të dytin në listë, përsa u përket vdekjeve mes gazetarëve. Më tej në listë renditen Libani, Rusia, Bangladeshi, Pakistani, Somalia dhe Sri Lanka me nga dy vdekje secili.

Në Ballkan, gazetari i vetëm i vrarë gjatë 2005, sipas listës së Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, është Bardhyl Ajeti, i gazetës Bota Sot në Kosovë, që u vra në qershor nga persona të panjohur në të dalë të Prishtinës.

Këtë viti Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, dokumenton edhe një prirje afat-gjatë që tregon se vrasësit e gazetarëve rallë dalin para gjyqit.

“Kjo ka një ndikim shumë të rëndë, pasi në vende si Rusia dhe Filipinet, ku vrasësit nuk ndëshkohen, cikli i dhunës ndaj gazetarëve nuk ndërpritet, Për këtë ne bëjmë fajtore qeveritë. Ato ndoshta nuk janë fajtore drejtëpërdrejtë për vrasjet, por ato janë përgjegjëse para ligjit për të vendosur drejtësinë dhe në se nuk nxjerrin para gjyqit vrasësit e gazetarëve, atëhere ato ndihmojnë për të mbytur lirinë e fjalës.”

Sipas raportit të Gazetarëve pa Kufij, gjatë 2005, gazetarët u ndodhën nën trysni në rritje gjatë punës së tyre. Ky grup thotë se mbi 800 gazetarë u arrestuan në mbarë botën, mbi 1 mijë e 300 u sulmuan fizikisht ose kërcënuan dhe mbi 126 janë ende në burgje në 23 vende. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, për të shtatin vit rresht, Kina ka numrin më të madh të gazetarëve të burgosur, e pasuar nga Kuba, Eritrea dhe Etiopia.

XS
SM
MD
LG