Lidhje

Hetimet për një ish-lobist, mund të implikojnë edhe anëtarë të Kogresit


Një ish-lobist i fuqishëm në Uashington pranoi dje fajësinë për akuzat për korrupsion, pas arritjes së një marrëveshjeje me prokurorët që po hetojnë mbi përpjekjet e tij të mundshme për të ushtruar ndikim në Kongresin amerikan.

Lobisti Jack Abramoff pranoi fajësinë për akuza për konspiracion dhe mospagim taksash në lidhje me përpjekjet e tij për të ushtruar ndikim tek anëtarët e Kongresit.

Zoti Abramoff doli para një gjykatësi federal në Washington dhe pranoi se kishte luajtur rol në një konspiracion për të korruptuar zyrtarë publikë. Ai shprehu keqardhje dhe kërkoi falje.

Zoti Abramoff përballet gjithashtu me disa akuza për mashtrime në lidhje me përpjekjet e tij për të blerë një linjë tragetesh në Florida.

Si pjesë e marrëveshjes së tij me prokurorët, Abramoffi do të bashkëpunojë tani në një hetim të gjerë të Departamentit të Drejtësisë lidhur me përpjekjet e tij për të ndikuar tek deri në 20 anëtarë të Kongresit dhe ndihmës të tyre, përfshirë ish-udhëheqësin e republikanëve Tom Delay. Ja ç’thotë Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara Alice Fisher:

“Zyrtarët e qeverisë dhe veprimet e qeverisë nuk janë për shitje. Departamenti i Drejtësisë do të hetojë dhe ndjekë penalisht me forcë këto lloj rastesh, që cënojnë rëndë besimin e publikut tek qeveria. Ne nuk do t’i shmangemi kësaj përgjegjësie në asnjë lloj rrethane”.

Konsulenti politik demokrat Michael Feldman thotë se fakti që zoti Abramoff po bashkëpunon tani me prokurorët po i nervozon disa ligjvënës.

“Vetë fakti që ai ka arritur një marrëveshje do të thotë se ai ka disa informacione për të ofruar dhe ma merr mendja disa anëtarë të Kongresit dhe ndihmës të ligjvenësve janë shumë të shqetësuar nga një gjë e tillë”.

Një pjesë e çështjes së zotit Abramoff ka të bëjë me akuza sipas së cilave ai u ka marrë disa fiseve indianësh të Amerikës miliona dollarë dhe është përpjekur të ushtrojë ndikim tek disa anëtarë të Kongresit duke u bërë atyre dhurata të kushtueshme dhe duke kontribuar financiarisht në fushatat e tyre në kundërshtim me ligjin.

Shumë nga dhuratat e tij ishin për anëtarë republikanë të Kongresit, por edhe disa demokratë kanë pranuar kontributet e tij. Javët e fundit, disa ligjvënës ia kanë kthyer kontributet Abramoffit.

Zoti Abramoff ka mbledhur gjithashtu fonde për fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Bush vitin e kaluar, por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan nuk tha nëse presidenti e kishte takuar ndonjëherë ish-lobistin e fuqishëm.

“Veprimtaria e paligjshme në të cilën ai mesa duket po e pranon se është i përfshirë, është skandaloze dhe nëse ai ka shkelur ligje, ai duhet të mbahet përgjegjës dhe të ndëshkohet”.

Pasojat politike nga rasti Abramoff mund të jenë të konsiderueshme.

Eksperti i Universitetit të Virxhinias Larry Sabato thotë se arsyeja kryesore për një gjë të tillë është se Jack Abramoff u përpoq që ta ushtronte ndikimin e tij tek një numër i madh anëtarësh të Kongresit.

“Jo të gjithë ata janë fajtorë. Jo të gjithë ata madje e dinin se cili ishte ai. Por duket se do të jenë disa prej tyre të përfshirë thellë në këto probleme”.

Analisti politik Stuart Rothenberg parashikon që demokratët e opozitës të përqendrohen tek skandali i Abramoffit, ndërsa përpiqen që të forcojnë pozitat e tyre në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin.

“Ne nuk e dimë dhe është në dorën e demokratëve gjatë 9 ose 10 muajve të ardhshëm të bëjnë lidhjet nga një skandal individual tek një anëtar i Kongresit, pastaj tek një tjetër e me radhë, derisa ta paraqesin si një skandal që përfshin gjithë partinë. Nuk e dimë nëse ata do të jenë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë”.

Zoti Abramoffi mund të dënohet deri me 30 vjet burg për akuzat për të cilat ka pranuar pafajësinë. Por dënimi mund të ulet, në varësi nga niveli i bashkëpunimit me prokurorët.

XS
SM
MD
LG