Lidhje

Presidenti Bush përshëndet përparimin e arritur në Irak dhe Afganistan


Presidenti Bush përshëndeti përparimin e arritur, sipas tij, në luftën kundër terrorizmit në Irak dhe në Afganistan, por paralajmëroi se kërkohet durim ndërkohë që këto dy vende ndërtojnë institucione demokratike funksionale dhe ngrejnë forcat e sigurimit.

Pas një informimi në Pentagon nga ana e oficerëve më të lartë të ushtrisë, Presidenti Bush e vuri theksin tek aspektet pozitive. Ai nuk bëri premtime por foli për tërheqje trupash si nga Iraku edhe nga Afganistani, në rast se këtë e lejojnë kushtet në këto dy vende.

Presidenti Bush theksoi edhe një herë se vendimet e tij do të varen nga gjendja në terren dhe jo nga konsideratat e politikës së brendshme. Ai vuri në dukje se në Irak, numri i trupave amerikane është tani disa mijra më pak se sa shifra prej 138-mijë që ishte përpara zgjedhjeve kombëtare të muajit të kaluar: "Gjatë këtij viti, nëse irakianët vazhdojnë të bëjnë përparim në aspektin e sigurisë dhe atë politik, ashtu siç shpresojmë, ne mund të flasim për shkurtime të tjera të mundëshme," tha Presidenti Bush.

Presidenti tha se ende mbeten sfida të shumta ndërkohë që udhëheqësit irakianë janë në procesin e ndërtimit të qeverisë së re. Ai foli për punën delikate që ata kanë përpara në krijimin e një qeverie e cila të jetë sa e bashkuar aq edhe edhe gjithpërfshirëse.

Presidenti përshëndeti përpjekjet për trainimin e ushtrisë së re irakiane por e bëri të qartë se forca policore e Irakut kërkon më shumë përpjekje. Presidenti Bush tha gjithashtu se abuzimet e policisë janë të papranueshme dhe se po merren masa që shkelje të tilla të parandalohen: "Ne do të punojmë me qeverinë irakiane për të shtuar trainimin që marrin rekrutët e forcës policore irakiane në aspektin e të drejtave të njeriut dhe të shtetit juridik, që ata të kuptojnë rolin e policisë në një shoqëri demokratike."

Presidenti Bush i quajti Irakun dhe Afganistanin dy frontet qendrore në luftën globale kundër terrorit. Ai tha se ashtu si irakianët, edhe afganët janë në rrugën drejt një shoqërie demokratike. Ai tha gjithashtu se trupat afgane kanë arritur suksese në luftime, sipas komandantëve ushtarakë amerikanë.

Presidenti vuri në dukje se forcat ndërkombëtare po marrin mbi vete gjithnjë e më shumë përgjegjësi sigurimi në Afganistan, duke bërë të mundur që Shtetet e Bashkuara të ulin në një farë mase nivelin e trupave. "Ndërkohë që NATO-ja merr mbi vete një rol gjithnjë e më të madh në Afganistan dhe aftësitë e forcave afgane vazhdojnë të rriten, Shtetet e Bashkuara do të pakësojnë nivelin e trupave në Afganistan nga 19-mijë në 16 mijë brenda këtij viti,” tha Presidenti Bush.

Por Presidenti theksoi se forcat speciale amerikane nuk do të largohen dhe do të vazhdojnë të ndjekin në Afganistan udhëheqësit e al-Qaidës si dhe mbeturinat e regjimit të përmbysur taleban.

XS
SM
MD
LG