Lidhje

Rreth 50 vetë janë vrarë në një seri sulmesh në Irak


Sot në Irak, rreth 50 vetë janë vrarë në një seri sulmesh në Bagdad dhe në qytete të tjera në veri të tij. Dita e sotme cilësohet si më e dhunshmja në vend që para zgjedhjeve parlamentare të 15 dhjetorit.

Sulmi më vdekjeprurës sot ndodhi rreth 100 kilometra në verilindje të Bagdadit, në Muqdadyah, ku një person kreu një sulm vetëvrasës me bombë në një funeral shiit, duke vrarë të paktën 36 vetë dhe duke plagosur dhjetra të tjerë.

Në Bagdadin jugor, një makinë bombë shpërtheu, duke vrarë të paktën 7 vetë. Gjetkë, në kryeqytet dhe në rrethinat e tij, autoritetet njoftuan për vdekjen e të paktën dhjetë personave të tjerë në incidente të veçanta. Ndërkohë, policia thotë se forcat kryengritëse sulmuan një kolone me cisterna nafte në veri të Bagdadit, duke shkatërruar 4 prej tyre.

Në frontin politik, udhëheqësit kurdë thanë se kanë arritur një marrëveshje me një parti të rëndësishme suni për formimin e një qeverie me front të gjerë. Udhëheqësit kurdë dhe shiitë u takuan javën e kaluar për bisedime të ngjashme.

XS
SM
MD
LG