Lidhje

Sfidat e Shqipërisë për vitin 2006 në këndvështrimin e dy analistëve

  • Intervistoi: Konda

Shqipëria e mbylli vitin 2005 duke realizuar pas zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut një kalim paqësor të pushtetit nga e majta, e cila e mbante atë për 8 vjet, tek partia demokratike e Sali Berishës. Viti 2006 e gjen megjithatë Shqipërinë përballë sfidave të tjera serioze. Në pranverë Komisioni europian ka shprehur synimin për mbylljen e bisedimeve për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Po gjatë këtij viti, duhet të zhvillohen edhe zgjedhjet për pushtetin vendor, një tjetër çështje mjaft e rëndësishme, ku Shqipëria duhet të dëshmojë se mund të realizojë zgjedhje të lira e të ndershme, sipas standarteve ndërkombëtare. Forcat politike pritet të fillojnë në janar përpjekjet për reformën zgjedhore, një pikë gjithnjë e debatueshme. Për të folur për këto sfida, për zhvillimet e ardhshme politike të Shqipërisë, Zëri i Amerikës intervistoi Drejtorin e Gazetës Shqiptare, Skënder Minxhozi dhe analistin Andi Bushati.

Zëri i Amerikës: Zoti Minxhozi, pas një periudhe tejet të zgjatur, më në fund Komisioni Evropian ka paralajmëruar mbylljen e bisedimeve për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në pranverë. Marrëdhëniet me BE janë ndikuar shumë nga zhvillimet e brendshme. Sa mendoni se keto zhvillime, ecuria e punës së qeverisë apo edhe raportet e acaruara me opozitën do të mund të kenë sërish një ndikim në vendimin e pritshëm nga Brukseli?

Skënder Minxhozi: Ju e thatë me shumë të drejtë, se procesi i negocimit të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit në Shqipëri ka qenë i gjatë, i vështirë dhe mjaft më problematik se ai i shumë vendeve të tjera përreth nesh. Prej më shumë se tre vjetësh, Shqipëria negocion tashmë një marrëveshje, e cila teknikisht konsiderohet si e mbyllur, të paktën që prej 6 muajsh le të themi. Pra, në plan të parë, gjithmonë kanë qenë jo nenet e marrëveshjes, jo klauzolat teknike, se sa problemet që lidhen me stabilitetin e brendshëm politik, me ecurinë e zgjedhjeve, që ka patur Shqipëria pothuajse çdo vit, dhe probleme të ngjashme. Për pasojë, edhe përgjigja pozitive nga Komisioni Evropian që ka ardhur, mendoj se mbetet e kushtëzuar. Pra, nga ky moment ku ndodhemi, deri në verën e këtij viti, ne jemi, për mendimin tim, nën observimin dhe vëzhgimin mjaft të rreptë të Brukselit, për të parë se si do të ecin reformat dhe piketat në të cilat kalon Shqipëria në këtë proces.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, aktualisht kemi një konflikt të fortë mes pozitës dhe opozitës, e ndikuar kjo edhe nga përplasjet mes qeverisë dhe kryetarit socialist Edi Rama, për shkak të funksioneve të tij edhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sa të motivuar e shihni këtë përplasje, a mendoni se ajo lidhet direkt me luften kundër korrupsionit, apo kemi të bëjmë thjesht me një vazhdim të traditës, ku është shumë e vështirë që palët kundërshtare të gjejnë pika të përbashkëta?

Andi Bushati: Unë do të isha i mendimit për ta korrigjuar disi pyetjen tuaj, sepse po të bënim një krahasim me 4, apo 5 vjet përpara, unë do të thoja se megjithëse të tensionuara, marrëdhëniet midis pozitës dhe opozitës nuk janë në kuotat e tyre maksimale. Gjithësesi, ka një lloj acarimi që nuk është i ndjeshëm, s’diskutohet që ai ka të bëjë me anagzhimin e qeverisë aktuale për të luftuar korrupsionin, por ka edhe një problem tjetër, që kjo luftë kundër korrupsionit, shpesheherë po merr nota tejet të politizuara, siç kemi rastet e fundit, ato për prishjen e mbikalimit në një pikat kyçe të trafikut të Tiranës, e të tjera. Pra, kemi nga njera anë pushtetin e ri, që po bën një përpjekje për të luftuar korrupsionin, dhe kjo ka kundërreagimin e saj, por ka edhe një tendencë për ta politizuar luftën kundër korrupsionit dhe kjo e bën edhe opozitën që të ndjehet edhe më e atakuar dhe për këtë pasojë, edhe të kundërreagojë më fort.

Zëri i Amerikës: Zoti Minxhozi, partitë politike do të duhet të bashkëpunojnë megjithatë, për reformën zgjedhore. Eksperiencat e deritanishme kanë treguar vështirësi serioze dhe kompromise të arritura në momentin e fundit falë ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar dhe kryesisht OSBE-së. Sa e shihni të mundur gjetjen e një gjuhe të përbashkët për një çështje kaq delikate, aq më tepër që edhe koha në dispozicion është e shkurtër?

Skënder Minxhozi: Është krijuar një traditë, negative do të thoja, që pas çdo zgjedhjeje, e përgjithshme, apo lokale qoftë, gjëja e parë që bëhet, është hedhja në koshin e plehrave, nuk e ekzagjeroj po ta thoja këtë, e kodit elektoral me të cilat janë zhvilluar këto zgjedhje. Zgjedhjet lokale që u zhvilluan, siç e dini, u qeverisën në një kuadër rregullash, të cilat tashmë konsiderohen nga shumë anë, si të pavlefshme, dmth-në si rregulla që prodhuan atë që quhet Megadushku. Besoj që ky proces ka për të qenë po aq i vështirë, dhe unë do të thoja se në këtë proces, do të vihen në provë kësaj radhe, jo vetëm aftësia e partive poltike për të gjetur bashkëpunimin me njëra tjetrën, por tashmë edhe roli i bashkësisë ndërkombëtare, i cili mendoj se duhet të jetë më i kualifikuar, më afatgjatë dhe pak më largpamës se ai që ka qenë deri tani.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, opozita po kritikon ashpër disa nga lëvizjet e fundit të qeverisë dhe të së djathtës, siç janë edhe reformat në drejtësi, të cilat sipas saj synojnë prekjen e institucioneve kushtetuese. Sa realist është ky shqetësim?

Andi Bushati: Shqetësimi i opozitës më shumë se me të tashmen lidhet me të shkuarën e qeverisjes Berisha të të kaluarën, pra në periudhën 92-97, kur ai ka qenë presidenti i republikës dhe çdo tentative për të ndryshuar diçka, qoftë për reformë, apo qoftë për të ndryshuar persona, menjëherë i vishet edhe kjo prapashtesë politike dhe përpiqet për të rikthyer periudhën e qeverisjes së zotit Berisha, kur ai ishte President. Gjithësesi, në këto tentativa të opozitës, ka edhe një pjesë racionale, e cila duhet parë dhe e cila duhet të shqetësojë edhe pjesën tjetër të opinionit, i cili nuk është i rreshtuar politikisht. Kur them këtë, e ka fjalën psh. për tentativën që u bë në fund të vitit të shkuar, për të hequr të drejtën e parlamentarëve për të votuar në mënyrë të fshehtë për shkarkimin, apo emërimin e anëtarëve të institucioneve kushtetuese. Pra, edhe zoti Berisha, edhe qeverisja e tij, duke e ditur edhe të shkuarën e tyre, duhet të përpiqen të tregohen tejet të kujdesshëm se çdo tejkalim i mundshëm i ligjit, apo çdo hije për të vepruar në mënyrë antiligjore mund t’i kthehet në bumerang.

Zëri i Amerikës: Zoti Minxhozi, me daljen në skenë të Lëvizjes Socialiste për Integrim e majta pësoi një çarje të fortë, që ishte edhe një ndër faktorët të humbjes së zgjedhjeve. Sipas jush, nën dritën e zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor apo dhe të presidentit vitin tjetër, a janë kaq të forta dallimet sa të pengojnë një bashkëpunim të partive të majta?

Skënder Minxhozi: Ju e thatë me të drejtë që çarja në gjirin e së majtës ka qenë mjaft e thellë. Ajo ka qenë një nga shkaqet kryesore që e çoi të majtën në pozitën ku është sot, pra në opozitë. Por unë do të vija re një paradoks, në situatën brenda kampit të majtë. Për mendimin tim, brenda së majtës vazhdohet të operohet me mendësinë, strategjinë dhe taktikat e para 3 korrikut. As socialistët dhe as LSI-ja nuk po tregojnë vullnet dhe hapa konkretë për t’u afruar rreth një projekti politik që do të kërkonte rikthimin e së majtës në pushtet. Të dyja palët vazhdojnë të bëjnë llogaritë e tyre të vogla. Unë e shoh bashkimin e së majtës si një kusht për kthimin e saj në pushtet, pa të cilin ajo nuk do të kishte shpresë për të larguar zotin Berisha nga pushteti.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, përparësia kryesore që qeveria i ka vënë vetes është lufta ndaj korrupsionit. Sa të mundshëm e shihni arritjen e një objektivi të tillë, duke qenë se në shumicën e rasteve në Shqipëri më shumë është folur se sa është vepruar kundër këtij fenomeni?

Andi Bushati: Nëqoftëse ekziston qoftë edhe një vullnet i vogël politik, qoftë edhe me sistemin aktual që ka Shqipëria, mund të bëhen hapa të ndjeshëm përpara për të luftuar korrupsionin. Megjithatë, problemi kryesor nuk është sfida ndaj luftës kundër korrupsionit. Nëse ekziston vullneti politik, lufta kundër korrupsionit është e arritëshme dhe rezultatet e saj mund të jenë shumë të prekshme jo vetëm për politikën, por edhe për qytetarët. Problemi themelor për mua është që nuk duhet abuzuar me luftën kundër korrupsionit dhe, sa i fortë duhet të jetë vullneti për ta bërë këtë, aq i fortë duhet të jetë vullneti edhe për të respektuar institucionet e tjera të pavarura që janë po ashtu aq të domosdoshme në këtë luftë. Kur them këtë, e kam fjalën që nëqoftëse ka një vullnet të pushtetit ekzekutiv për ta bërë këtë luftë, ai nuk nuk mund të shkojë ndesh qoftë me vullnetin e pushtetit gjyqësor, qoftë me atë të prokurorisë apo të institucioneve të tjera, si Kontrolli i Lartë i Shtetit etj. Pra, lufta kundër korrupsionit është e shëndetëshme në vetevete por ajo nuk duhet të kthehet në një sfidë të mazhorancës aktuale kundër institucioneve të tjera të pavarura të shtetit.

XS
SM
MD
LG