Lidhje

Uashington: fillojnë hetimet rreth një aksidenti të rëndë në minierë


Departamenti amerikan i Punës ka hapur një proces hetimor lidhur me aksidentin në një minierë qymyrguri të shtetit Virgjinia Perëndimore që shkaktoi vdekjen e 12 punëtorëve.

Në një deklaratë të djeshme, departamenti thotë se Administrata e Minierave për Sigurinë dhe Shëndetësinë do të emrojë një ekip hetimor për të vlerësuar të gjitha aspektet e aksidentit dhe të reagimit emergjent. Në deklaratë thuhet se ekipi hetimor do të shqyrtojë edhe mënyrën sesi ishte përcjellë informacioni rreth gjendjes së minatorëve të bllokuar.

Njoftimet fillestare se 12 nga 13 minatorët ishin gjetur gjallë u përhapën me shpejtësi nëpër komunitetin e vogël të minatorëve. Mirëpo, atmosfera u shndërrua në një skenë kaotike kur zyrtarë të kompanisë u thanë familjeve dhe miqve të viktimave se vetëm një nga minatorët kishte mbijetuar shpërthimin vdekjeprurës në minierë.

Shpërthimi të hënën në mëngjes ishte katastrofa më e rëndë në minierat amerikane që nga vitit 2001, kur një shpërthim në Alabama shkaktoi vdekjen e 13 vetëve.

XS
SM
MD
LG