Lidhje

Presidenti Bush takohet me ish zyrtarë të lartë të administratave të mëparshme

  • Paula Wolfson

Presidenti Bush po e shtrin edhe më gjerë rrethin e këshilltarëve. Ai ftoi në Shtëpinë e Bardhë një grup ish sekretarësh të shtetit dhe të mbrojtjes për të dëgjuar pikpamjet e tyre. Ata u ulën në një tavolinë të gjatë prej druri.

Ata ishin rreth 12, me një numër të barabartë përfaqësuesish të administratave demokrate dhe republike, që nga vitet 60-të.

Presidenti tha se mirëpriste sugjerimet e tyre rreth politikës në Irak në të ardhmen.

“Jo të gjithë rreth kësaj tryeze ishin dakord me vendimin tim për luftën në Irak dhe unë këtë e kuptoj fare mirë. Por këta janë amerikanë shumë të mirë, të cilët e kuptojnë se ne na duhet të kemi sukses në Irak tani që jemi angazhuar në atë vend.”

Presidenti tha se është mirënjohës për idetë e tyre dhe premtoi t’i shqyrtojë me seriozitet këshillat. Por presidenti e bëri të qartë se nuk ka në plan të bëjë ndryshime rrënjësore në strategjinë e tij në Irak.

“Ne kemi një strategji për fitore në dy aspekte. Nga njëra anë, ne do të punojmë për të krijuar një proces politik që u thotë të gjithë irakianëve: ‘E ardhmja ju takon juve’. Në anën tjetër, ne do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në atë vend.”

Të ftuarit u informuan lidhur me këtë strategji dhe gjendjen aktuale në Irak nga komandantë të lartë të ushtrisë si dhe nga ambasadori amerikan në Irak, Zalmai Kalilzad. Edhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice dhe Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ishin të pranishëm për të ndihmuar në informimin e paraardhësve të tyre.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Harold Brown, i cili ishte sekretar i mbrojtjes në administratën e ish presidentit Jimmy Carter në vitet 70-të, foli me gazetarët. Ai tha se gjendja në Irak është e vështirë, megjithatë ka shenja përparimi.

“Mendoj se zhvillimet politike në Irak gjatë muajve të ardhshëm do të jenë vendimtare për sa i përket drejtimit që do të marrë ai vend.”

Mes zyrtarëve të tjerë, që morën pjesë në takim, ishin sekretari i shtetit në mandatin e parë të presidentit Bush, Colin Powell si dhe disa zyrtarë të administratës së ish presidentit Clinton. Ata u larguan nga Shtëpia e Bardhë pa bujë dhe nuk bënë komente për gazetarët.

XS
SM
MD
LG