Lidhje

Si të jetosh më gjatë


Amerikanët po fillojnë ta kuptojnë se ushqimet e shëndetëshme dhe ushtrimet e rregullta gjimnastikore ulin tensionin e gjakut dhe kolesterolin dhe ndihmojnë punën e zemrës, gjë që i bën njerëzit të jetojnë më gjatë. Një studim për shembull tregon se qoftë edhe të ecurit rreth 30 minuta çdo ditë i shton njeriut disa vite jetë.

Margaret Smith ka mësuar në praktikë se si ulet tensioni i gjakut. Duke ngrënë ushqime me shumë proteinë si fasule dhe mish pule apo yndyrna të pasaturuara si vaji i ullirit, vaji i kanolës dhe bajamet, ajo e ka ulur tensionin e gjakut nga 150 me 90 në 132 me 83. Kohët e fundit zonja Smith mori pjesë në një studim të Universitetit Johns Hopkins në Baltimore të shtetit Maryland.

"Tani besoj vërtet në efektet që ka ushqimi i shëndetshëm. Kjo më dha mundësinë të shikoja rezultatet e një diete pozitive."

160 njerëz me tension të lartë gjaku morën pjesë në këtë studim për të sqaruar efektet që ka dieta tek tensioni i lartë dhe kolesteroli, simptoma që mund të çojnë në sëmundje zemre ose deri në kriza kardiake. Ulja e sasisë së yndyrnave të saturuara në dietë është rekomanduar gjithnjë për të parandaluar sëmundjet e enëve të gjakut. Por studimet e mëparshme nuk i jepnin përgjigje pyetjes se me çfarë mund të zëvendësoheshin këto yndyrna. Mjeku Lawrence Appel shpjegon:

"Studimi përfshin tre dieta. Njëra e pasur me karbohidrate, një tjetër me proteina – gjysma e tyre bimore dhe e treta e pasur me yndyrna të pasaturuara."

Rezultatet e studimit u botuan kohët e fundit në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. Mjekët arritën në përfundimin se zëvendësimi i pjesshëm i karbohidrateve me proteina ose me yndyrna të pasaturuara mund ta ulë tensionin e gjakut dhe të zbutë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

"Nga studimi del se nivelet më të ulta të tensionit të gjakut dhe kolesterolit ishin te njerëzit që morën dietën me proteinë dhe atë me yndyrna të pasaturuara."

Në një studim tjetër, shkencëtarët llogaritën vitet që njeriu i shton jetës së tij me anë të ushtrimeve të rregullta gjimnastikore. Më shumë se 5 mije banorë të shtetit verilindor Masachusetts morën pjesë në studim gjatë 46 vjetëve. Ky quhet studimi i Fremingamit për Zemrën, sipas qytetit ku u krye ai. Njerëzit që merren me aktivitet fizik të mesëm ose të lartë, del se jetojnë 1.5 deri në 3.5 vjet më shumë se sa ata që bëjnë më pak ushtrike fizike.

Nga studimi del se edhe 30 minuta ecje e shpejtë çdo ditë të zgjat jetën. Sa më shumë kohë të shpenzosh sot me ushtrime fizike aq më shumë kohë do të kesh më vonë në jetë.

XS
SM
MD
LG