Lidhje

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u përgjigjet akuzave të Kryeministrit Berisha


Në Shqipëri, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ju përgjigj sot akuzave të bëra mbrëmë nga kryeministri Sali Berisha për parregullsi serioze në projektin e mbikalimit të Zogut të Zi. Zoti Rama hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit, duke servirur dokumenta, që sipas tij provojnë se gjithshka është bërë duke respektuar të ligjit. Kryetari i Bashkisë ka ftuar qytetarët që nesër të jenë te Zogu i Zi ku ai do të verë në dispozicion të secilit të gjithë dokumentacionin për projektin.

Luftë deklaratash dhe dokumentash mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama për projektin e mbikalimit të Zogut të Zi. Mbrëmë kryeministri i ftuar në një debat në televizionin Klan duke iu referuara edhe disa ligjeve dhe dokumentave, si dhe përfundimeve të ekspertëve të thirrur nga Këshilli i Rregullimit të Territorit tha se projekti nuk kishte leje ndërtimi, se i mungonte oponenca teknike, se ishte aprovuar pa shpallur tender, se nuk kishte leje mjedisi apo te pronësisë duke akuzuar më pas hapur për një aferë korruptive në të gjithë realizimin e kësaj vepre. Por kryetari i Bashkise Edi Rama paraqiti sot dokumenta te cilat sipas tij rrezojne pretendimet e kryeministrit:

"Kryeministri gënjen kur thotë se ky është një ndërtim pa leje pasi për këtë investim ka një vendim të organit sovran të vendimarrjes të çështjeve vendore, që është Këshilli Bashkiak. Ka një vendim të KRT-së. Kryeministri e përmendi disa herë pse nuk bëhet konkursi pse nuk bëhet tenderi I hapur, ndërkohë që në gazetat e kohës është shpallur tenderi I hapur, pra konkursi për projektin dhe po ashtu në gazetat e kohës është shpallur tenderi I hapur dhe për zbatimin" - tha ai.

Kryetari I Bashkisë Rama ka ftuar qytetarët e Tiranës që nesër të mblidhen te Zogu I zi ku ai do të ofrojë kopje të veçanta për të gjithë dokumentacionin që lidhet me projektin. Gjatë gjithë kësaj kohe Bashkia por dhe partia socialiste e ka cilësuar konfliktin për mbikalimin të motivuar politikisht, dhe sipas zotit Rama e gjitha kjo është një farsë që lidhet me zgjedhjet e ardhshme vendore:

"Ka vetëm një synim, që të mos lejojë që kryeqyteti të vazhdojë të zhvillohet, që kryeqyteti të vazhdojë të ketë një rritje të suksesshme që kryeqytetit të vazhdojë të rrisë mundësitë për qytetarët në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore të cilat I them zotit kryeministër se i ka të humbura".- tha ai.

Por përveç debateve dhe përplasjeve të ashpra, çështja e mbikalimit është shoqëruar dhe me procese dhe padi mes palëve. Bashkia ka kërkuar hapjen e një çështjeje gjyqësore kundër vendimit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës, po ashtu ankesë ka bërë edhe firma ndërtuese e cila mes të tjerave ka kërkuar anullimin e vendimit të policisë ndërtimore për prishjen e mbikalimit, ndërsa vetë policia ndërtimore ka dorëzuar në prokurori një padi penale me disa akuza, ndaj Kryetarit të Bashkisë Edi Rama.//lk

XS
SM
MD
LG