Lidhje

Turqi: Raste të reja të gripit të shpendëve tek njerëzit


Turqia njoftoi për raste të reja të gripit të shpendëve tek njerëzit, ndërkohë që Bashkimi Evropian konfirmoi sot se virusi i përhapur mes shpendëve në pjesën lindore të vendit është varianti vdekjeprurës H5N1.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Turqi njoftuan për dy raste të reja në spitalin e qytetin Van, zona ku vdiqën tre fëmijë nga e njëjta familje javën e kaluar. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar tashmë se dy nga fëmijët vdiqën nga virusi H5N1 i gripit të shpendëve.

Analizat po kryen për të parë në se fëmija i tretë që vdiq të premten ishte prekur nga i njëjti virus. Ndërkohë koha e keqe ka detyruar një komision të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të shtyjë deri të djelën vizitën në Van për të vlerësuar situatën. Rreth 30 njerëz janë shtruar në spital me siptoma gripi në Turqinë lindore, por zyrtarët po i minimizojnë shanset e një transmetimi të virusit nga njeriu tek njeriu.

Për herë të parë rastet e gripit të shpendëve tek njerëzit u shfaqën këtë javë në Evropë. Organizata Botërore e Shëndetësisë po heton ndërkohë për rastin e vdekjes së tre fëmijëve nga e njëjta familje në Turqinë Lindore.

Viti i Ri solli dëshpërim dhe fatkeqësi në një fshat të vogël të Turqisë përgjatë kufirit me Iranin - tre fëmijë të vdekur nga e njejta familje. Autoritetet thanë se dy prej tyre kishin gripin e shpendëve. Për të tretin analizat nuk kanë përfunduar ende.

Hasan Kocyigit është xhaxhai i fëmijëve: "Humbëm nga një fëmijë çdo ditë, të mërkurën, të enjten, të premten. Çdo ditë sollëm nga një arkivol këtu", thotë ai.

Dy motra dhe një vëlla të moshave nga 11 në 15 vjeç të vdekur brenda pak ditësh. Mjekët besojnë se ata kishin rënë në kontakt fizik me pula të infektuara. Lajmi për vdekjen e tyre bëri që prindër të tjerë të çonin në spital për kontroll fëmijët e tyre. Zyrtarët shëndetësorë po vëzhgojnë nga afër dhjetra pacientë të tjerë që dyshohet të jenë prekur nga gripi i shpendëve. Ministri i Bujqësisë Medhi Eker tha se ka disa njerëz që kanë ardhur në spital me simptoma të ngjashme, por nuk ka informacione të sigurta në se janë prekur nga gripi i shpendëve.

Frika e përhapjes së virusit bëri që qeveria të dërgonte ekipe shtëpi më shtëpi, duke izoluar pata dhe pula. Deri tani sëmundja është përhapur vetëm nga zoqtë tek njerëzit. Shqetësim i jashtëzakonshëm është fakti se virusi mund të transformohet për t’u përhapur nga njeriu tek njeriu, gjë që mund të shkaktojë miliona viktima në mbarë botën. Organizatës Botërore e Shëndetësisë thotë se nuk ka të dhëna për përhapje nga njeri tek njeriu për rastet e Turqisë, por po kryen hetime të mëtejshme për to.

XS
SM
MD
LG