Lidhje

Greko: Pavarësia e gjyqësorit – e rëndësishme për të përballuar statusin përfundimtar të Kosovës


Presidenti i Shoqatës Amerikane të Avokatëve, Majkëll Greko, i cili vizitoi kohët e fundit Kosovën thotë se stabiliteti i sistemit ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit janë shumë të rëndësishme që Kosova të jetë e aftë të përballojë çfarëdo zgjidhjeje politike të statusit të saj përfundimtar. Ajo që ka garantuar demokracinë në Shtetet e Bashkuara, thotë ai, ka qenë pavarësia e sistemit të drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Greko, kohët e fundit ju ishit për një vizitë në Kosovë ku morët pjesë në takime me gjykatës, prokurorë dhe avokatë. Cila ishte tema kryesore e takimeve dhe cilat janë problemet kryesore të sistemit ligjor në Kosovë?

Majkëll Greko: Unë isha në Kosovë me 19 dhe 20 dhjetor dhe arsyeja pse shkova atje ishte se Shoqata Amerikane e Avokatëve ka gjashtë vjet që punon me gjykatësit dhe jursitët vendas për të ndihmuar në stabilizimin e sistemit ligjor. Arsyeja kryesore e vizitës sime ishin dy takime me gjykatës dhe avokatë. Problemet që diskutuam nuk janë vetëm për Kosovën, ato janë probleme që kanë të bëjnë me çështje themelore, si kodi i etikës për juristët. Si mund ta përdorin juristët atë për të bindur publikun se kodi i ri është domethënës dhe se ata po përpiqen t’i japin një pamje tjetër drejtësisë, ndryshe nga çka qenë për 8 apo 9 dekada me radhë në rajon. Pra takimet ishin mjaft të frytshme.

Zëri i Amerikës: Kosova po përgatitet për negociatat për statusin përfundimtar. Nëse ky status do të jetë pavarësia, cilat do të ishin çështjet ligjore në diskutim, sidomos në lidhje me sovranitetin?

Majkëll Greko: Çështjet ligjore janë pikërisht ato që trajton Shoqata Amerikane e Avokatëve në Kosovë. Ne po përpiqemi të stabilizojmë dhe të ndihmojmë në zhvillimin e një sistemi ligjor, në mënyrë që cilido që të jetë modeli përfundimtar i zgjidhjes politike, me ndihmën e Shoqatës Amerikane të Avokatëve dhe të tjerëve në Kosovë, vendi të ketë një sistem ligjor që do të jetë i përgatitur të trajtojë problemet me të cilat do të përballen kosovarët.

Zëri i Amerikës: UNMIK-u mori vendimin për krijimin e Ministrisë së Rendit Publik dhe të Drejtësisë, duke u dhënë kështu më shumë kompetenca autoriteteve vendore. A mendoni se ndërkombëtarët duhet të jenë të përfshirë në këto dy departamente?

Majkëll Greko: Kosova gjendet në një periudhë tranzicioni dhe kjo është e qartë. Atje po ndodh një reformë dhe avokatët dhe gjykatësit po punojnë shumë. Ka një dëshirë të madhe për ta bërë sistemin ligjor të aftë për të trajtuar çfarëdo çështjesh që mund të dalin. Unë mendoj se nisma e Shoqatës Amerikane të Avokatëve është të sigurohet se pa marrë parasysh nëse do të ketë ndërkombëtarë apo vendorë, kosovarët të jenë në gjendje të punojnë me një sistem ligjor që është i fortë dhe i respektuar. Ky është roli ynë kryesor në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Deri tani, Departamenti i Drejtësisë në Kosovë nuk gëzon mjaft besim nga ana e publikut. A ndodh kjo për shkak se ndërkombëtarët e udhëheqin atë, apo cila mendoni të jetë arsyeja?

Majkëll Greko: Duhet të kemi parasysh se populli i Kosovës, duke përfshirë avokatët dhe gjykatësit kanë punuar për 80-90 vjet nën një sistem të përfshirë nga korrupsioni për shkak të regjimit autoritar të qeverisjes. Populli i Kosovës duhet të edukohet me idenë se kjo është një epokë e re për qeverinë dhe sistemin ligjor. Dhe unë mendoj se kur publiku të fillojë të ketë besim në kodin e etikës për shembull, kur publiku të shohë se avokatët në Kosovë janë të pavarur ashtu si avokatët dhe gjykatësit në Shtetet e Bashkuara, atëherë pavarësia e gjyqësisë dhe pavarësia e një profesioni ligjor etik profesional në Kosovë do t’u tregojë njerëzve se ata janë në gjendje shumë më të mirë tani seç ishin në regjimin e mëparshëm autoritar.

Zëri i Amerikës: Meqenëse tani gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë po trajtojnë çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me etnitë e ndryshme në Kosovë, a mendoni se gjykatësit, avokatët dhe prokurorët vendorë nuk mund t’i trajtojnë këto çështje në mënyrë objektive apo profesionale?

Majkëll Greko: Unë kam vërejtur një përparim të madh gjatë dy vizitave të mia në Kosovë. Avokatët dhe gjykatësit atje janë të organizuar tani. Dhoma e Avokatëve të Kosovës është organizata për avokatët, Shoqata Gjyqësore e Kosovës është shoqata e gjykatësve dhe këto dy grupe u takuan kur unë isha atje. Ata kanë dëshirë të madhe të punojnë së bashku, prandaj do të vijë koha kur ata të jenë të aftë t’i trajtojnë këto çështje që sapo përmendet ju po aq mirë sa kushdo tjetër, por është çështje zhvillimi dhe tranzicioni. Dhe programi ynë atje jep ndihmë teknike në mënyrë që gjykatësit dhe avokatët të jenë në gjendje të bëjnë çfarë është e nevojshme.

Zëri i Amerikës: Cilat do të jenë reformat e menjëhershme ligjore që duhet të bëhen pasi të vendoset statusi i Kosovës, veçanërisht në lidhje me kornizën kushtetuese?

Majkëll Greko: Reformat ligjore po bëhen që tani, dhe arsyeja pse unë isha atje në dhjetor të vitit 2004 dhe vitit 2005 si president i Shoqatës Amerikane të Avokatëve ishte për të ndihmuar që përpjekjet për këto reforma të vazhdojnë. Dhe juristët tanë në Prishtinë po punojnë me Dhomën e Avokatëve të Kosovës dhe Shoqatën e Gjykatësve të Kosovës për reforma shumë të rëndësishme dhe afatgjata. Për shembull, avokatët kanë miratuar një Kod Etike dhe ai është shumë i mirë. Por shumë njerëz nuk e dinë se kjo është një nga reformat kryesore. Kodi i Etikës për Avokatët është shkruar për të trajtuar problemet që kanë ekzistuar në sistemin ligjor atje për dekada me radhë, dhe korrupsioni është një nga ata. Korrupsioni nuk është fenomen vetëm në Kosovë. I gjithë rajoni ka vuajtur nga ai. Dhe kur njerëzit vënë në pyetje integritetin e gjykatësve dhe avokatëve, i gjithë sistemi fillon të shembet. Prandaj reforma më e madhe në të cilën ne kemi ndihmuar deri tani është miratimi i një Kodi të Etikës për Juristët, në mënyrë që njerëzit në Kosovë të kenë besim se ka filluar një periudhë e re ku sistemi ligjor është i drejtë, transparent dhe i pakorruptuar ndryshe nga ç’ka qenë gjatë 80-90 vjetëve të fundit.

Zëri i Amerikës: Çfarë çështjesh ligjore mund të dalin nga mosmarrëveshjet në lidhje me çështjen e pronave në Kosovë?

Majkëll Greko: Sapo sistemi ligjor të fillojë të funksionojë siç duhet, ai do të mund të trajtojë çështje të tilla si pronat. Siç u thashë edhe gjykatësve dhe avokatëve kur isha atje, dëshira për të miratuar këto reforma ishte shumë e madhe dhe për të përmirësuar sistemin ligjor. Dhe bashkëpunimi mes avokatëve dhe gjykatësve ishte shumë i mirë. Prandaj unë kam besim së përparimi do të vazhdojë Megjithatë, unë u thashë atyre se edhe në SHBA në vitin 1780 kur ishim një vend i ri dhe trajtonim çështje të tilla si të drejtat e njerëzve dhe të drejtat pronësore të njerëzve, unë u thashë se ata ishin në fazën që ishte Amerika mes viteve 1780-1790 dhe ne ia dolëm. Shoqata Amerikane e Avokatëve po i ofron Kosovës përvojën tonë në SHBA dhe atë të sistemeve ligjore evropiane, dhe Kosova po merr si shembull modelin më të mirë që ka ekzistuar ndonjëherë për të ndërtuar sistemin e vet. Shoqata jonë është pjesë e këtij programi dhe falënderon edhe USAID-in i cili po e bën të mundur ndihmën tonë. Por çështjet, cilatdo që të jenë ato, qoftë pronësore apo diçka tjetër, kur sistemi në Kosovë të jetë i qëndrueshëm, ata do të jenë në gjendje t’i trajtojnë këto probleme.

XS
SM
MD
LG