Lidhje

Presidenti Bush thekson mbështetjen e tij për kandidaturën e gjykatësit Alito


Komisioni i Senatit për çështjet e gjyqësorit ka filluar seancat me pyetje përgjigje drejtuar gjykatësit Samuel Alito lidhur me kandidaturën e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Kandidati konservator pritet të ndeshet me pyetje të vështira nga anëtarë të Komisionit të Senatit për Çështjet e Gjyqësorit. Demokratët e opozitës, si dhe disa republikanë kanë në plan t’i drejtojnë gjykatësit pyetje lidhur me pikëpamjet e tij për kompetencat e presidentit në përputhje me Kushtetutën. Presidenti Bush theksoi mbështetjen për gjykatësin Samuel Alito. Korrespondentja jonë na informoi se zoti Bush i bëri thirrje Senatit të zhvillojë një debat dinjitoz.

Presidenti Bush e ftoi gjykatësin Alito në Shtëpinë e Bardhë për të ngrënë mëngjes së bashku, vetëm disa orë para se të fillonte seanca e dëshmive. Në përfundim të takimit të tyre, ata dolën në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë ku prisnin gazetarët. Në një deklaratë të shkurtër, Presidenti Bush e përcolli gjykatësin Alito në kongres me fjalë lavdëruese.

“Semi ka intelektin e nevojshëm për të sjellë përvojën e tij në gjykatë. Ai ka temperamentin juridik për të garantuar që gjykata e Lartë të interpretojë ligje dhe të mos përpiqet t’i shkruajë ato”. - tha Presidenti.

Presidenti Bush vuri në dukje se emërimi i zotit Alito është mbështetur nga Shoqata Amerikane e Juristëve, që përfaqëson anëtarët e komunitet juridik në Shtetet e Bashkuara. Ai e quajti gjykatësin Alito shumë të kualifikuar dhe tha se shumë anëtarë të Senatit janë të kënaqur me këtë kandidaturë për në gjykatën e lartë. Por si gjithmonë, debati pritet të ngjallë kundërthënie.

Ashtu si në rastin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhon Roberts, që u konfirmua disa muaj më parë, Samuel Alito njihet si konservator në aspektin politik. Por Xhon Roberts zëvendësoi Uilliam Renkuist-in, që kishte filozofi të ngjashme, por gjykatësi Alito është zgjedhur për të zëvendësuar Sanda Day O’Conor-in, e cila është më centriste dhe shpesh ka hedhur votën vendimtare në gjykatë, që ka qënë pothuajse e ndarë në vija ideologjike.

Kundërshtarët në Senat kanë frikë se prania e Samuel Alitos në Gjykatën e Lartë do ta çonte atë edhe më tej nga e djathta dhe janë zotuar se do t’i bëjnë atij pyetje të vështira për çështje të tilla si aborti dhe pushteti presidencial lidhur me luftën. Presidenti Bush u bëri thirrje atyre të zhvillojnë një proces dinjitoz.

“Gjykata e Lartë është një entitet dinjitoz, Semi është një njeri me dinjitet. Shpresoj, natyrisht, që Senati do të zhvillojë një proces dinjitoz dhe ta trajtojë drejt këtë njeri para se të votojë pro apo kundër tij”. - tha Presidenti Bush.

Seancat me pyetje-përgjigje në Senat pritet të zgjatin një javë, dhe votimi për kandidaturën e gjykatësit Alito në Senat të zhvillohet të martën e javës tjetër.//lk

XS
SM
MD
LG