Lidhje

Kandidati për Gjykatën e Lartë thotë se do të ishte një gjykatës i paanshëm


Kandidati i Presidentit Bush për Gjykatën e Lartë, Samuel Alito thotë se do të jetë një gjykatës i paanshëm në se konfirmohet për postin. Demokratët thonë se do t’i kërkojnë gjykatësit Alito sqarime të shumta kur të rifillojnë sot seancat në Komisionin Juridik të Senatit.

Në deklaratën e tij hapëse para Komisionit Juridik dje, gjykatësi Alito tha se ai do të jetë një gjykatës i drejtë, në se Senati e konfirmon për në Gjykatën e Lartë. Ai tha se mori të njejtin angazhim edhe para 15 vjetësh kur u miratua si gjykatës apeli.

“Unë u betova se do të merrja vendime pa patur parasysh personin, se drejtësia do të ishte e njejtë si për të pasurit edhe për të varfërit dhe se detyrat do t’i kryeja sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Shteteve të Bashkuara. Kjo është ajo që jam përpjekur të bëj gjatë 15 vjetëve të kaluara. Në se konfirmohem, unë zotohem para jush se kjo është ajo që do të bëj në Gjykatën e Lartë.”

Në se konfirmohet gjykatësi Alito do të zëvendësojë gjykatësen Sandra Day O’Connor, një gjykatëse me pikëpamje të qendrës, e cila shpesh herë ka hedhur votën vendimtare, kur votat e tjera të Gjykatës së Lartë ishin ndarë katër me katër, për disa raste të rëndësishme. Disa herë ajo ka votuar si anëtarët më konservatorë të Gjykatës e disa herë të tjera si ata të krahut më liberal.

Senatorët demokratë janë të shqetësuar se gjykatësi Alito, me pikëpamje konservatore do të prishte balancën ideologjike të gjykatës duke e anuar atë nga e djathta.

Ata janë veçanërisht të shqetësuar nga pikëpamjet e tij në të kalaurën lidhur me kompetencat e presidentit dhe të drejtën e abortit.

Senatorët demorkatë përmendin argumentet juridike dhe vendimet e tij si gjykatës dhe nga vitet kur punonte si jurist në adminsitratën e Presidentit Regan, kur ai është shprehur në favor të zgjerimit të kompetencave të degës ekzekutive. Dhe këto ditë, pas bërjes publike të urdhërit që ka dhënë Presidenti Bush për përgjimin e amerikanëve të dyshuar për terrorizëm pa leje nga gjykata, kritikët janë të shqetësuar nga argumentet e gjykatësit Alito.

Kjo çështje pritet të jetë kryesorja gjatë seancave të konfirmimit. Ja si u shpreh Senatori demokrat Charles Schumer.

“Ne duhet të dimë, në se një president i tejkalon kompetencat, a do të jeni ju në gjendje ta kontrolloni pushtetin e tij, apo do t’i jepnit atij një çek të bardhë për të ushtruar ato kompetenca që ai mendon se janë të përshtatshme.”

Një çështje tjetër kryesore gjatë seancave të dëgjimit është aborti.

Kritikët, janë të shqetësuar se gjykatësi Alito mund të përpiqet të përmbysë vendimin e vitit 1973 të Gjykatës së Lartë që legalizoi abortin. Kritikët përmendin një shënim të vitit 1985 të Gjykatësit Alito në dokumentet e tij për të kërkuar punë në adminsitratën e Presidentit Regan ku ai shprehej se e drejta e abortit nuk parashikohet me kushtetutë. Ja si u shpreh senatorja demokrate Diana Feinstein.

“Po ashtu jam e shqetësuar me ndikimin që mund të kishit ju për të drejtat e grave, veçanërisht për të drejtën e gruas për të zgjedhur.”

Përkrahësit republikanë të Gjykatësit Alito thonë se ai është i drejtë, me pikëpamje përgjithësisht konservatore, por që do t’i lerë mënjanë pikëpamjet e tij persponale në gjykimin e çështjeve.

Senatori Jon Kyl, republikan nga Arizona thotë se gjykatësi Alito është më se i kualifikuar për të shërbyer si anëtar i Gjykatës së Lartë.

“Ai ka më shumë përvojë gjyqësore se çdo kandidat tjetër i emëruar në këto 70 vjetët e fundit.”

Senatorët pritet t’i kërkojnë sqarime të hollësishme gjykatësit Alito gjatë senacave të sotme dhe të nesërme. Rreth 30 ekspertë pritet të japin mendimet e tyre pro dhe kundër gjykatësit.

Megjithë kundërshtimin nga demokratët, Gjykatësi Alito pritet të konfirmohet nga senati i kontrolluar nga republikanët.

XS
SM
MD
LG