Lidhje

Programe edukative kundër duhanit; Fiskultura dhe jetëgjatësia


Programe kundër duhanit

Numri i të rinjëve amerikanë që pijnë duhan ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1975. Ekspertët thonë se ky sukses është rezultat i programeve edukative mes të rinjëve që tundohen të fillojnë duhanin dhe atyre që duan ta lënë atë. Sporte të tilla të guximshme si rrëshqitjet me patinazh mund të jenë të rrezikëshme, por ky grup që shkon qytet më qytet e shkollë më shkollë i njeh të rinjtë me një rrezik edhe më të madh, siç është duhani.

Programi i organizuar nga Fushata kundër duhanit mes fëmijëve, tërheq të rinj me prirje sportive, dhe i bën ata të ballafaqohen me fakte rreth rrezikut të duhanit. I riu Nik Spilberg nga Kalifornia thotë se për t’u bërë i varur nga nikotina mjaftojnë të pish tre cigare. Një fakt i tillë është kyç për fëmijët. Por ekspertët thonë se që mesazhi të mos harrohet ai duhet të paraqitet në mënyrë sa më të dukëshme për të tërhequr vemendjen.

Shenjat e ndalimit të duhanit në vende të dukëshme shkurajojnë pirjen e duhanit. Taksat e larta të cigareve ndikuan në rënien 5 përqind të atyre që pijnë duhan. Kundërshtimi i reklamave të cigareve gjithashtu bën efekt pozitiv.

Një përqasje e tillë e problemit po jep rezultate të mira në këtë shkollë të mesme në shtetin Mein. Gjatë 8 vjetëve të fundit numri i të rinjëve që pijnë duhan në këtë shkollë u pakësua 60 përqind. Mësuesja Dora Mills thotë se në vitin 1997, rreth 40 përqind e nxënësve në këtë shkollë të mesme pinin duhan. Tani ky numër ka rënë në 16 përqind.

Kjo vajzë thotë se sot nuk ka pirë asnjë cigare, dhe këtë ajo e quan një fillim të mbarë. Të rinjtë pjesmarrës në këtë program të shoqatës amerikane të Mushkërivë nxiten për të lënë duhanin duke shqyrtuar shkaqet që i bëjnë ata të pijnë duhan si përshembull stresi dhe trysnia nga ana e bashkë-moshatarëve. Ky i ri thotë se dita e sotme ishte plot stres. Në ditë të tilla ai e ndjen se ka nevojë për një cigare. Ekspertja Kathi Bakinger e institutit kombëtar të kancerit thotë se 75 përqind e të rinjëve janë përpjekur ta lënë duhanin, por pa sukses dhe 65 përqind thonë se janë penduar që e kanë filluar atë. 22 përqind e nxënësve të shkollave të mesme amerikane pijnë duhan dhe përllogaritet që një e treta e tyre një ditë do të vdesin nga një sëmundje e shkaktuar nga duhani. Por programet për lënien e duhanit mes të rinjëve shpesh kanë nevojë për fonde. Në disa shtete, pakësimi i fondeve të përgjithëshme buxhetore ka prekur drejtpërdrejt financimin e programeve të tilla. Shkolla e mesme në Natik afër Bostonit u detyrua të ndërpresë programin edukativ kundër duhanit dhe tani e lufton duhanin duke u vënë gjoba 100 dollarëshe atyre që kapen duke pirë duhan në mjediset e shkollës. Masa të tilla i frenojnë nxënësit të mos shkelin rregullin, por nuk i bëjnë ata të lënë duhanin. Për një gjë të tillë duhen programe edukative, thotë drejtoresha e shkollës, Rose Bertuci. Në shtetin Maine, në programet kundër duhanit përfshihen fëmijët që nga klasat e fillore, pra shumë kohë përpara se ata të tundohen për të provuar cigaren e parë.

Britani Vilareal thotë se sikur dikush t’i kishte thënë asaj me këmbëngulje që kur ishte në shkollën fillore se duhani ishte i dëmshëm, ajo sot nuk do të ndodhej mes përpjekjeve për heqjen dorë nga ky ves. Ajo thotë se e ka shumë të vështirë për ta lënë duhanin. Vilareal filloi të pinte cigare që kur ishte 11 vjeçe dhe shpreson që të tjerët si ajo do ta kuptojnë rrezikun e duhanit e të mos e pijnë kurrë atë.

Fizkultura dhe shëndeti

Ndërkohë, studimet e kohëve të fundit tregojnë se ushtrimet fizike ndikojnë për një jetë të shëndetëshme më të gjatë, më të mirë dhe më të zgjuar. Tashmë është fakt i njohur se njerëzit që merren rregullisht me fizkulturë jetojnë deri në 4 vjet më gjatë se njerëzit që bëjnë pak, ose asnjë lloj ushtrimi fizik. Doktor Jay Smith i Klinikës Mayo në shtetin Minesota, është specialialist në këtë fushë. Ai thotë se njerëzit që bëjnë fizkulturë ka gjasa të jetojnë më gjatë. Ata gjithashtu bëjnë një jetë më cilësore. Zoti Smith thotë se kjo ndodh ngaqë ushtrimet e rregullta fizike ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe një sërë sëmundjesh të tjera. Ai është bashkautor i një libri të titulluar “Kulturë fizike për çdo njeri”. Ai thotë se ushtrimet e rregullta fizike i ndihmojnë njerëzit që vuajnë nga tensioni, diabeti dhe mbipesha trupore. Doktor Smith thotë se edhe njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe artriti mund të kryejnë ushtrime fizike, sigurisht të kufizuara dhe duke u këshilluar më parë me mjekun. Studime të tjera tregojnë se ushtrimet fizike janë të mira edhe për trurin. Disa ekspertë thonë se ato pakësojnë rrezikun për sëmundjen e Alzajmerit dhe pakësojnë stresin dhe depresionin. Një studim me përfshirjen e më tepër se 10 mijë personave të moshës 35-55 vjeç për 10-15 vjet tregoi se me kalimin e viteve, tek njerëzit që bënin ushtrime fizike më pak se dy orë në javë, aftësia mendore ishte më e ulët se tek ata që bënin fizkulturë për një kohë më të gjatë dhe rregullisht. Gjithashtu, me aktivitetin e ulët fizik lidheshin kujtesa e dobët, fjalori më i kufizuar dhe aftësitë matematikore. Shkencëtarët thonë se shoqërimi i fizkulturës me muzikë ndihmon në shtimin e energjisë dhe optimizmit. Një studim me gratë mbipeshë që ecnin rreth 5 kilometra në javë, gjysma e tyre dëgjonin muzikë dhe gjysma jo. Gratë që dëgjonin muzikë ishin më të prirura ta mbanin dietën, ta vazhdonin programin e ushtrimeve fizike dhe të humbnin më tepër peshë se sa grupi tjetër i grave që kryenin fizkulturë por pa dëgjuar njëkohësisht edhe muzikë. /al/

XS
SM
MD
LG