Lidhje

Senatorët i përqendrojnë pyetjet ndaj kandidatit për Gjykatën e Lartë tek kompetencat e presidentit dhe e drejta e abortit


Kandidati i Presidentit Bush për Gjykatën e Lartë Samuel Alito, kthehet sot përsëri në Kongres, para Komisionit Juridik të Senatit, për ditën e dytë të seancave të konfirmimit. Siç njofton korrespondentja jonë Deborah Tate, dje vëmendja e senatorëve u përqëndrua në pikëpamjet e zotit Alito për kompetencat e presidentit dhe të drejtën e abortit.

Gjykatësi Alito u pyet disa herë për disa deklarata të bëra në kohën që shërbente si jurist në administratën e Presidentit Regan, në mbështetje të pushtetit ekzekutiv. Disa demokratë u shprehën shqetësim që gjykatësi Alito ishte shprehur në favor të shtimit të kompetencave të presidentit në dëm të lirive civile.

Gjykatësi Alito u shpreh se presidenti nuk ka liri të pakifizuara, edhe në kohë luftrash.

“Kushtetuta jonë vlen si për kohë paqeje edhe për kohë lufte dhe ajo mbron të drejtat e gjithë amerikanëve,në të gjitha rrethanat.”

I pyetur rreth urdhërit të presidentit Bush për të përgjuar, pa leje nga gjykatat, shtetas amerikan që dyshohen për lidhje me grupet terroriste, gjykatësi Alito nuk pranoi të jepte një përgjigje të saktë. Disa ligjvenës e kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e këtij akti.

Për çështjen e abortit, gjykatësi Alito u pyet rreth disa mendimeve që ai kishte shprehur në kohën që punonte për administratën e presidentit Regan, ku theksonte se ishte për kufizimin e të drejtës për abort.

Zoti Alito u përgjigj se shkrimet e asaj kohe pasqyronin pikëpamjet e administratës së atëhershme dhe ai u zotua t’i trajtojë çështjet e abortit pa paragjykime.

Disa senatorë demokratë nuk u bindën gjithsesi dhe shprehën shqetësim se gjykatësi Alito, në se konfirmohet, do të përpiqet të përmbysë vendimin e Gjykatës së Lartë të vitit 1973, që ligjëroi abortin. Ja si u shpreh senatori demorkat Charles Schumer.

“Ne mund të arrijmë në përfundimin se në se para jush shtrohet një rast i tillë ju do të votonit për ta përmbysur vendimin.”

Ndërsa senatopri republikan nga Teksasi, John Cornyn i akuzoi disa demokratë se synimi i tyre i vetëm ishte rrëzimi i kandidaturës së zotit Alito.

“Unë mendoj se ata që tashmë kanë vendosur të votojnë kundër emërimit të tij po kërkojnë arsye për ta bërë këtë.”

Në se konfirmohet gjykatësi Alito do të pasonte gjykatësin Sandra Day O’Connor. Ajo konsiderohet si një gjykatëse me pikëpamje centriste dhe shpesh ka hedhur votën vendimtare në disa raste të vështira. Disa demokratë argumentojnë se zoti Alito do të zhvendoste balancën ideologjike të gjykatës djathtas.

XS
SM
MD
LG