Lidhje

Arkeologu Neritan Ceka në përgjigje të tezave dhe mëdyshjeve mbi origjinën shqiptare


Arkeologu dhe studiuesi i njohur shqiptar, Neritan Ceka, sapo ka botuar në gjuhën angleze librin e tij "Ilirët". Studimi është fryt i një pune voluminoze mëse 10 vjecare, është një nga librat më të kërkuar aktualisht nëpër libraritë e Tiranës, sidomos nga studentët dhe turistët. Po ashtu mjaft të kërkuar janë edhe librat e tij të tjerë të sapobotuar në shqip, anglisht dhe gjermanisht Apolonia, Butrinti dhe Bylisi.

Por vendin më të rëndësishëm mes tyre e zë natyrshëm libri për ilirët, i cili ka ambicjen të hedhë dritë mbi njërën prej periudhave më interesante dhe të panjohura të lashtësisë së popullit shqiptar. "Kushdo që do ta lexojë librin, do ta kuptojë që historia jonë është një histori lineare, pa ndërprerje, pa katastrofa. Ndoshta ka pak mjegull në historinë e shqiptarëve që nga shekulli VI deri në shekullin XI kur shfaqen krejtësisht të qartë me emrin e tyre të trashëguar nga antikiteti nga albanoi tek arbërit, por kjo është një histori e cila nuk mund të kontestohet me asnjë argument tjetër; kaq i fortë është argumenti historik i vazhdimësisë që përkon dhe me argumentin arkeologjik" - thotë zoti Ceka.

Bazuar mbi zbulimet arkeologjike dhe studimin e burimeve të shkruara, libri i prof.Cekës trajton me detaje prejardhjen e shqiptarëve të sotëm nga ilirët, një nga popullsitë më të vjetra të rajonit.

Zoti Ceka thotë se pikërisht kjo periudhë e lidhjeve mes ilirëve dhe shqiptarëve e kishte tërhequr gjithmonë në punën e tij shkencore, ndonëse ka qenë e mbuluar prej shumë vitesh me errësirë dhe enigma, si edhe botime fare të pakta, kryesisht të autorëve të huaj. "Kjo ka qenë një periudhë refleksioni, një periudhë e dëshirës për të përshkruar më mirë vecanërisht kapitujt e fundit të librit, që bëjnë fjalë për kalimin nga ilirët dhe deri tek shqiptarët. Pra, është historia që nga shekulli IV i erës sonë kur sipas mendimit tim mund të flasim për herë të parë për shqiptarët e parë, jo në shekullin XI kur shfaqen në histori, por natyra e tyre është brumosur që në antikitetin e vonë, që kur krishterimi filloi pak a shumë të seleksiononte popujt që kishin shpëtuar nga kasaphana e dyndjeve të popujve të shekujve IV-VI dhe jam i sigurtë që shqiptari i parë i takon pikërisht kësaj kohe; antikitetit të vonë, i mbrujtur me traditën mesdhetare greko-romake, me traditën ilire natyrisht, por edhe me identitetin që krijoi krishterimi i hershëm në vendin tonë" - thotë ai.

Prof. Ceka thekson se studimi hedh dritë edhe mbi lindjen dhe origjinën e gjuhës shqipe si dhe trajton gjerësisht pjesëmarrjen aktive të ilirëve në qytetarinë romake. Sipas tij, një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar fuqishëm në mbijetesën dhe kompaktësimin e popullsisë shqiptare ka qenë edhe konflikti i madh me sllavët në atë periudhë kur këta të fundit u vendosën në rajon.

Prof. Neritan Ceka i shkroi kapitujt e parë të këtij studimi që në vitin 1987 për ta dërguar në shtyp kohët e fundit. Ai trajton një nga cështjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasion që e ka të trashëguar nga i ati, Hasan Ceka, gjithashtu një arkeolog i njohur shqiptar. Libri "Ilirët" në shqip u publikua për të herë të parë në takime me studentë të Universiteteve të Tiranës dhe të Elbasanit, si dhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke ngjallur menjëherë interesimin e qarqeve shkencore universitare.

XS
SM
MD
LG