Lidhje

Bush: Irani nuk duhet lejuar të zotërojë armë bërthamore


Presidenti Bush tha se Irani nuk duhet lejuar të zotërojë armë bërthamore dhe bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike të krizës me Iranin.

Presidenti Bush tha dje në Shtëpinë e Bardhë se një armë bërthamore iraniane do të përbënte kërcënim serioz për gjithë botën.

Ai tha se është logjike që një vend që ka hedhur poshtë alternativat diplomatike, t’i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Presidenti Bush i bëri këto komente pas një takimi me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Irani ka kërcënuar t’i japë fund bashkëpunimit me agjencinë e OKB-së për energjinë atomike, nëse çështja e programit të tij bërthamor i kalohet Këshillit të Sigurimit për mundësinë e vendosjes së sanksioneve. Irani njoftoi në fillim të javës se do të rifillojë kërkimet në fushën e pasurimit të uraniumit

Ambasadori i Kinës në OKB tha se paraqitja e çështjes në Këshillin e Sigurimit do ta komplikonte më tej problemin. Rusia i ka bërë thirrje Iranit të rifillojë moratoriumin për veprimtaritë bërthamore dhe të bashkëpunojë me agjencinë e OKB-së për energjinë atomike.(xh)

XS
SM
MD
LG