Lidhje

Presidenti Bush dhe Kancelarja Merkel shprehën pikëpamje të kundërta rreth qendrës amerikane të paraburgimit në Gjirin Guantanamo


Presidenti Bush dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehën pikëpamje të kundërta rreth qendrës amerikane të paraburgimit në Gjirin Guantanamo, por premtuan të punojnë së bashku lidhur me problemin rreth programit bërthamor të Iranit dhe çështje të tjera.

Të dy udhëheqësit e cilësuan takimin e tyre 45 minutësh si të ngrohtë dhe miqësor. Kjo është vizita e parë e zonjës Merkel në Shtetet e Bashkuara që kur ajo u zgjodh në postin e kancelares vitin e kaluar.

Kancelarja Merkel tha se kishte folur hapur me Presidentin Bush rreth opozitës së Gjermanisë ndaj qendrës së paraburgimit në Gjirin Guantanamo, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të gjejnë mënyra të tjera për të zgjidhur problemin e personave të dyshuar si terroristë.

Presidenti Bush tha se ai hodhi poshtë thirrjet për të mbyllur burgun në Gjirin Guantanamo, duke thënë ai është i nevojshëm për të mbrojtur popullin amerikan.

Të dy udhëheqësit premtuan të bashkëpunojnë në një numër çështjesh, përfshirë ndërhyrjen e mundshme të Kombeve të Bashkuara kundër programit bërthamor të Iranit. (xh)

XS
SM
MD
LG