Lidhje

Mungesa e një sistemi të drejtë juridik ndikon në rritjen ekonomike të Shqipërisë


Po ti hedhësh një vështrim klasifikimit të fundit për lirinë ekonomike, sipas Fondacionit Heritage dhe gazetës Wall Street Journal, të tërheq vëmendjen fakti se Shqipëria, e 52ta në indeksin këtij anketimi, radhitet shumë pranë vendeve me demokraci të konsoliduar dhe disa prej ekonomive më të mëdha në botë.

Ana Eiras, analiste e lartë për ekonominë ndërkombëtare, në fondacionin Heritage shpjegon faktin se indeksi për lirinë ekonomike merr në konsideratë mbi 50 faktorë dhe analizon klimën e biznesit në të cilin punojnë njerëzit. Pra edhe në se dy vende mund të kenë të njëjtin indeks për lirinë ekonomike, thotë ajo, kjo nuk do të thotë se kanë të njëjtin nivel pasurie.

Ndonëse në disa fusha Shqipëria ka tregues më të mirë dhe lë pas disa vende të zhvilluara, mungesa e një sistemi të drejtë juridik e bën të vështirë transformimin e reformave të ndërmarra nga qeveria në rezultate më të mira ekonomike. "Përsa i përket Shqipërisë, çështjet që duhen përmirësuar dhe që do të kenë ndikim në rritjen afatgjatë të ekonomisë dhe zhvillimin e vendit janë së pari krijimi i një sistemi të qëndrueshëm juridik, i një sistemi të besueshëm për biznesmenët apo njerëzit e thjeshtë që zhvillojnë biznes. Shqipëria ende ka tepër burokraci dhe korrupsion. Kështu që edhe pse është bërë punë e mirë përsa i përket përmirësimit të kodit për investimet e huaja, sistemit të bankave dhe taksave duhet të punohet më shumë për forcimin e institucioneve". Sistemi i drejtësisë, thotë analistja është faktori kryesor për çdo investim, veçanërisht për ato afatgjata.

Në historinë e indeksit të Fondacionit Heritage, Shqipëria ka arritur përmirësime të ndjeshme që do të thotë se sot është më e lehtë të hapësh një biznes sesa ç’ishte 10 vjet më parë. Por burokracitë, korrupsioni dhe rregulloret e shumta e errësojnë klimën e biznesit dhe avantazhet që mund të ketë Shqipëria përsa i përket fuqisë punëtore të kualifikuar, sistemit të favorshëm të taksave dhe barrierave të ulta tregëtare.

Zonja Eiras thotë se çdo legjislacion sado i favorshëm për biznesin, kërkon të mbështetet nga politika afatgjata që të mos përmbysen në për shkak të interesave të ndryshme që mund të kenë partitë politike. "Gjithkush mund të ketë recetën për sukses por është politika ajo që i bën gjerat e mundura. Fatkeqësisht aktorët politikë apo udhëheqësit politikë nuk kanë që të gjithë si pikësynim interesat e popullit. Në se shikon historinë e vendeve të pasura, kupton se ato kanë punuar për të lehtësuar kryerjen e biznesit. Pra kërkohen një strategji afatgjatë dhe jo ndryshime të politikave në vartësi të partive që marrin pushtetin".

Megjithëse në listën e e indeksit për lirinë ekonomike Shqipëria lë pas disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, analistja thotë se një anëtarësim i shpejtë pa arritur nivelin e duhur të zhvillimit ekonomik do të ishte ndoshta në disfavor të vendit. Shqipëria, thotë analistja, duhet të ketë një projekt zhvillimi në të ardhmen që do të ishte i hapur për tregjet dhe do të lejonte shqiptarët ta krijonin vetë pasurinë e tyre. //rd//

XS
SM
MD
LG