Lidhje

Ideja për krijimin e një këshilli të ri të OKB-së për të drejtat e njeriut, po has qëndresë të fortë


Në Kombet e Bashkuara ka rifilluar puna për krijimin e një këshilli të ri të të drejtave të njeriut. Udhëheqësit botërorë ranë dakort në takimin e nivelit të lartë të zhvilluar në shtator të vitit të kaluar se Komisioni i të Drejtave të Njeriut duhet të zëvendësohet me një organizatë më të besueshme. Por kjo ide po ndesh në një qëndresë të fortë:

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, John Bolton paralajmëroi këtë javë se duke lejuar që vende që njihen për shkelje të të drejtave të njeriut të antarësohen në Këshillin e ri të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut do të thotë të vihet në lojë vetë legjitimiteti i OKB-së.

Duke folur në një sesion të Asamblesë së Përgjithshme, ambasadori amerikan bëri thirje për një ri-organizim të përgjithshëm të aparaturës së OKB-së për të drejtat e njeriut.

Sekretari i Përgjithshëm i organizatës botërore Kofi Annan shpalli fillimin e përpjekjeve për reformimin e Komisionit të të drejtave të njeriut me seli në Gjenevë në mars të vitit të kaluar, duke theksuar rënien e besueshmërisë dhe profesionalizmit në këtë organizëm. Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane mbështesin idenë e krijimit të një komisioni më të vogël me standarte më të rrepta antarësimi.

Gjatë viteve të fundit, vende që shkelin të drejtat e njeriut, si Zimbabveja, Sudani dhe Kuba kanë qenë anëtare të këtij Këshilli. Ambasadori Bolton ka theksuar disa herë se këto vende dhe vende të tjera që nuk respektojnë të drejtat e njeriut po bëhen pengesë për përpjekjet për reforma:

“Përpjekje të tilla kanë ndeshur në qëndresë të fortë për të njëjtën arsye që vende si Kuba, Zimbabveja dhe Birmania përpiqen të antarësohen në Komisionin e të Drejtave të Njeriut, në mënyrë që të pengojnë përpjekjet për kontrollin dhe mbikqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut në vendet e tyre. Këto vende që janë shkelësit më të rëndë të të drejtave të njeriut shqetësohen se me krijimin e një agjencie të re për të drejtat e njeriut, ato nuk do të arrijnë dot t’i pengojnë këto përpjekje”.

Veprimtarët për të drejtat e njeriut dhe vendet perëndimore janë angazhuar për të krijuar një këshill të fuqishëm me afro 30 anëtarë, i cili do të organizonte takime gjatë gjithë vitit dhe do të kishte kompetenca për të ndëshkuar shkelësit e të drejtave të njeriut. Ata mbështesin idenë e eliminimit të sistemit të rotacionit për antarësim, i cili ka lejuar që të përfshihen në këshill edhe shkelës të rëndë të të drejtave të njeriut.

Por presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara Jan Eliasson, diplomat veteran suedez, parashikon se megjithëse agjencia e re do të jetë më e mirë se komisioni aktual, përsëri nuk do të arrijë të përmbushë shumë kritere që kërkojnë vendet perëndimore.

“Pa dyshim, Kombet e Bashkuara janë një pasqyrim i gjendjes në botë. Kjo është një organizatë globale. Prandaj ajo që arrijmë në Kombet e Bashkuara nuk do të jetë kurrë 100 për qind e përputhshme me ato që kërkon një vend i caktuar apo një grup vendesh si Bashkimi Evropian. Gjithmonë duhet të arrihet kompromis”.

Një propozim kompromisi që po shërben si bazë për negociata lë të hapura një sërë pyetjesh kritike. Propozimi përgatit terrenin për negociata intensive gjatë javëve të ardhshme lidhur me çështje si madhësia e këshillit, metoda për zgjedhjen e anëtarëve dhe procedurat për ndëshkimin e vendeve që shkelin të drejtat e njeriut.

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Eliasson thotë se parashikon që bisedimet të jenë ndër më të vështirat që ai ka ndeshur gjatë qëndrimit të tij 1-vjeçar në këtë post.

“Kur është fjala tek Këshilli për të Drejtat e Njeriut, ka një nivel më të lartë mosbesimi dhe shqetësime më të mëdha se Këshilli i të Drejtave të Njeriut do të veprojë me pikësynimin për të goditur disa vende. Nuk mund ta mohojmë këtë fakt, prandaj edhe negociatat do të jenë shumë të vështira”.

Negociatat e ardhshme do të zhvillohen ndërkohë që fillon sesioni i ardhshëm i Këshillit aktual për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Komisioni me 53-anëtarë pritet të fillojë takimet e tij 6-javëshe në mes të marsit.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kishin shprehur vitin e kaluar shpresën se komisioni i ri do të krijohej në kohë për të shmangur takimin e ardhshëm të komisionit aktual, por përpjekjet për të arritur një marrëveshje para fillimit të vitit 2006 dështuan.

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Eliasson thotë se opsioni më i mirë që mund të shpresohet të arrihet tani është që takimi i ardhshëm i këshillit të jetë i fundit dhe të lejojë një kalim pa probleme në Këshillin e ri të të drejtave të njeriut brenda këtij viti.

XS
SM
MD
LG