Lidhje

Shqipëri: Prezantohet një raport mbi heqjen e pengasave administrative dhe përmirësimin e klimës së biznesit


Në Shqipëri të hapësh një biznes është një problem më vete. Kohëzgjatja për t’u regjistruar dhe kostot shoqërohen më pas me pengesa jo të vogla që nga ato të infrastrukturës e deri te korrupsioni në të gjitha hallkat kryesore, dogana, tatime licensime.

Një studim i kryer nga ekspertë të agjencive vendase dhe ndërkombëtare i praqitur sot në Tiranë bën një analizë të të gjithë problematikës, rregjimit regullator dhe procedurave me të cilat përballen investitorët privat shqiptarë e të huaj. Sipas ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, përfundimet e raportit janë një diagnozë e dhimbshme për një shtet përsa kohë ai nuk ndërmerr dhe nuk realizon reforma.

Sipas anketimeve të përfshira në raport çështjet më shqetësuese që pengojnë rritjen e biznesit janë praktikat jo të ndershme, nivelet e taksave, energjia elektrike, korrupsioni apo dhe ndryshimet e shpeshta të kuadrit rregullator. Anketimi është kryer në rreth 500 kompani dhe shoqëri private në disa rrethe të vendit. Niveli i ndjeshëmrisë së korrupsionit nga përfaqësuesit e biznesit cilësohet si i lartë. Më të ndjeshëm për këtë
fenomen janë bizneset në qytetet e mëdha me 75 përqind dhe në Tiranë me 66 përqind. Doganat janë sektori që shihet si më problematiku për korrupsion duke u pasuar me sektorin e ndërtimit, regjistrimin e pasurisë dhe të biznesit si dhe tatimet.

Kryministri Sali Berisha tha sot se Shqipëria është vendi me nevojat më të mëdha për investime dhe konsiderohet si vendi me kostot më të larta për biznesin. Ai tha se qeveria që drejton është e gatshme të përshtasë dhe zbasë çdo ligj dhe reformë që nxit investimet private:

"Po studiojnë të gjitha mundësitë për të shkurtuar kohën në mënyrë dramtaike, kohën e nevojshme për regjistrimin e biznesit. Kostot për regjistrimin e tij. Po studiojmë të gjitha mundësitë e kushtet për të lehtësuar procedurat për ndërtuesit për
të krijuar hapësira të reja për ta. Qeveria ka vetëm një kërkjesë, së bashku të luftojmë informalitetin", tha zoti Berisha.

Ndërsa Ministri i Ekonomisë Genc Ruli deklaroi se ndërsa biznesit do t’i krijohen të gjitha hapësirat e nevojshme, shteti do të këmbëngulë për zbatimin e ligjit dhe rregullit në treg:

"Në një kohë që filozofia jonë është ajo e liberalizimit dhe jo pseudoliberalizmit, e çlirimit të hapësirës dhe veprimet në favor të iniciativës individuale dhe duke e lënë shtetin të rregullojë ato hapësira në të cilat është e nevojshme prania e arbitrit. Ne do zgjerojmë hapësirat ku vetë privatët veprojnë me iniciativën e tyre por hapësirën ku vepron rregulli i shtetit zbatimi i ligjit dhe i rregullit është një imperativ i padiskutueshëm".

Qeveria Berisha ka shpallur si një objektiv të sajin që Shqipëria të kthehet në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Niveli I këtyre investimeve vitet e fundit është luhatur rreth shifrës së 300 milion dollarëve në vit dhe kjo kryesisht falë privatizimit të sektorëve strategjik.

XS
SM
MD
LG