Lidhje

Çështja e Iranit, në qendër të bisedimeve edhe midis kancelares gjermane dhe Presidentit rus


Çështja e Iranit ishte në qendër të bisedimeve midis kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit Rus Vladimir Putin. Zonja Merkel ishte dje në Moskë në kuadër të një turne në disa vende të botës. Dy udhëheqësit u angazhuan të punojnë për një sërë çështjesh. Por ka shenja se marrëdhëniet e saj me udhëheqësin rus nuk do të jenë aq të afërta sa ç’ishin midis Presidentit Putin dhe kancelarit Shrëder.

Angela Merkel mbërriti në Moskë duke thënë se ajo dëshiron vazhdimin e partneritetit strategjik që Gjermania ka ndërtuar me Rusinë gjatë viteve të fundit.

Dy udhëheqësit qëndruan disa orë që bashku në Moskë duke diskutuar një sërë çështjesh, më kryesorja mes tyre, programi bërthamor i Iranit. Zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë thonë se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, akuzë që Teherani e mohon.

Vendet perëndimore po i afrohen gjithnjë e më shumë vendimit për t’ia referuar çështjen e Iranit Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shkas për këtë u bë fillimi i punës nga Irani javën e kaluar për programin e tij bërthamor.

Rusia është shprehur kundër një mase të tillë, pjesërisht pasi Moska e ka furnizuar prej vitesh Teheranin me teknologji bërthamore, për të cilën të dyja vendet thonë se është vetëm për qëllime paqësore.

Presidenti Putin i tha Kancelares Merkel se ende ka kohë për të arritur një kompromis me Iranin.

“Irani nuk e ka kundërshtuar propozimin rus për ta bërë pasurimin e uraniumit në Rusi që ai të përdoret për prodhimin e energjisë, por jo për bombë bërthamore.”

Dy udhëheqësit po ashtu diskutuan edhe rreth politikës ruse për energjinë, që tërhoqi vëmendje kohët e fundit pas mosmarrëveshjes së Rusisë me Ukrianën rreth çmimit të gazit.

Udhëheqësit evropianë u shprehën me shqetësim në se Rusia mund të shërbejë si një furnizues i besueshëm me gaz pasi Moska i preu gazin Ukrainës më 1 janar, një masë që preku edhe furnizimin me gaz të Evropës.

Megjithëse Rusia ka filluar ta furnizojë Ukrainën me gaz, ndërprerja e nxiti Bahskimin Evropian të shqyrtojë mundësinë e sigurimit të gazit e naftës nga burime të tjera. Çështja e energjisë është veçanërisht kritike për Gjermaninë, pasi 40 përqind të nevoja ajo i plotëson me gazin natyror që vjen nga Rusia.

Kancelarja Merkel tha se ajo dhe zoti Putin po ashtu diskutuan edhe rreth një gazsjellësi të drejtëpërdrejtë nga Rusia në Gjermani përmes detit Balltik.

Ish Kancelari Shrëder u kritikua ashpër që pranoi një post të rëndësishëm në një firmë të përfshirë në këtë projekt, vetëm disa javë pas largimit nga detyra.

Zonja Merkel thotë se ajo e mbështet projektin por shton se ai nuk i kundërvihet ndonjë vendi tjetër, një referencë kjo për Poloninë dhe disa vende të Evropës Lindore që e kundërshtojnë projektin pasi tubacioni i anashkalon ato.

Dy udhëheqësit patën mosmarrëveshje për disa çështje, siç është lufta në Çeçeni dhe ligji i ri në Rusi që kufizon aktivitetet e organizave jo qeveritare.

Kancelarja Merkel është nën trysni në Gjermani për të mbajtur një qëndrim më të prerë për gjendjen e të drejtave të njeriut në Rusi si dhe për imazhin e Moskës që po bën hapa pas në rrugën e reformave demokratike, çështje që Kancelari Shrëder pothuajse nuk i trajtonte asnjëherë.

Por dy udhëheqësit e bënë të qartë se gjerat që i bashkojnë dy vendet janë shumë më të mëdha se sa ata që i ndajnë. Mbi të gjitha, të dy udhëheqësit dukeshin të interesuar për të treguar nevojën për të vazhduar partneritetin strategjik.

XS
SM
MD
LG