Lidhje

Shqipëri: Kryeministri Berisha iu përmbajt sërish qëndrimeve të tij lidhur me kryetarin e Bashkisë së Tiranës


Qeveria shqiptare nuk është tërhequr aspak nga pozicioni i saj lidhur me konfliktin e hapur prej disa muajsh me Bashkinë e Tiranës. Përkundrazi kryeministri Sali Berisha edhe në takimin me delegacionin e Kongresit të Autoriteteve lokale të Këshillit
të Europës ka qenë mjaft i prerë për këtë çështje. Ai madje është shprehur publikisht edhe për përplasjen më të re mes Bashkisë dhe Agjencisë së Prokurorimeve publike, kur kjo e fundit për dy herë me radhë nuk është lejuar të ushtrojë kontrolle mbi tenderat e organizuar nga Bashkia gjatë vitit të shkuar.

Gjatë takimit kryeministri Sali Berisha është shprehur se kryetari i Bashkisë, Edi Rama do të mbajë përgjegjësi për këtë problem duke shtuar se asnjë zyrtar shqiptar nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Duke trajtuar përplasjet e tjera për punët publike në kryeqytet kryeminstri ka deklaruar se problemet me kryetarin e Bashkisë janë teknike dhe ligjore. Sipas tij, duke iu referuar mbikalimit për Zogun e Zi, zoti Rama ka autorizuar një projekt prej 2 milionë eurosh ndërkohë që plani i transportit i Bankës Botërore për Tiranën kishte prashikuar vetëm gjysëm milioni euro për të për zgjidhjen e kësaj nyjeje.

Kryeministri ka shtuar se zoti Rama ka nisur këtë projekt pa lejen e ndërtimit, pa lejen e mjedisit dhe pa kryer shpronësimin e pronarëve në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe për të gjitha këto, ka saktësuar kryeministri, qeveria ka këmbëngulur të zbatohet ligji. Zoti Berisha i ka deklaruar delegacionit të Këshillit të Europës se edhe Qeveria e mëparshme socialiste i ka anulluar disa herë punimet e kryetari i bashkisë së Tiranës dhe ai nuk paraqiti kurrë ankesa publike për këtë gjë.

Nga ana e tij zoti Rama, i cili është takuar me delegacionin e Këshillit të Europës, nuk ka bërë asnjë prononcim publik. Ndërkohë që gjatë gjithë kësaj kohe akuzat e qeverisë ai i ka hedhur poshtë si të pavërteta dhe të pabazuara, duke e cilësuar
të gjithë këtë situatë si një ulm politik ndaj pozicionit të tij edhe si kryetar i partisë socialiste në opozitë.

Muajin e kaluar, zoti Rama bëri një udhëtim të posacëm në Strasburg për t’u ankuar rreth pengesave dhe ndërhyrjeve që sipas tij po bën qeveria e zotit Berisha. Ishte ky veprim që nxiti dhe ardhjen e delegacionit të Kongresit të Autoriteteve lokale i drejtuar nga kryetari Giovanni Di Stasi. Gjatë qëndrimit në Tranë zoti Di Stasi u takua me autoritetet me të lartë të shtetit, institucionet që kanë lidhje me pushtetin lokal, me kryetarin e Bashkisë Edi Rama si dhe me ambasadorët e trojkës së Bashkimit Europian në Shqipëri. Ai nuk dha anjë deklaratë rreth situatës, por pritet që Kongresi i autoriteteve lokale të dalë me një raport të posaçëm.

XS
SM
MD
LG