Lidhje

Nënpresidenti amerikan Dik Çeni vazhdon turneun në Lindjen e Mesme


Sot në mesditë, nënpresidenti amerikan Çeni u takua me mbretin saudit Abdullah në fermën e mbretit afër Riadit.

Më parë ne mëngjes zoti Çeni zhvilloi bisedime në Egjipt me presidentin Hosni Mubarak.

Bisedimet e nënpresidentit Çeni me të dy udhëheqësit u përqëndruan kryesisht mbi të njëjtat çështje, që përfshijnë tensionet midis Libanit dhe Sirisë pas vrasjes së ish kryeministrit libanez Rafik Hariri afro një vit më parë. Ata gjithashtu diskutuan mbi gjendjen në Irak, krizën në rajonin Darfur të Sudanit, mbi shëndetin e kryeministrit izraelit Ariel Sharon dhe rreth zgjedhjeve të ardhshme palestineze dhe izraelite.

Një prej çështjeve kryesore ishte ballafaqimi bërthamor me Iranin, i cili kohët e fundit rifilloi programin e tij bërthamor, megjithë kundërshtimet diplomatike të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i udhëheqësit egjiptian u tha gazetarëve në Kajro se zoti Çeni kërkoi mbështetjen e Egjiptit në paraqitjen e çështjes së Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Egjipti është një prej 35 vendeve anëtare të këshillit drejtues të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të cilës i është kërkuar të vendosë nëse çështja e Iranit duhet t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por zëdhënësi Sulejman Avad tha se Egjipti do të mbështesë një hap të tillë vetëm nëse çështja shqyrtohet pa qëndrime të dyfishta. Me këtë ai i referohej Izraelit.

“Ne nuk kemi nevojë për një garë armësh bërthamore në Lindjen e Mesme. Por ne nuk mund të shpërfillim qëndrimin parimor dhe opinionin publik arab dhe të ngremë zërin rreth programit bërthamor të Iranit, e ndërkohë të lëmë pa përmendur programin dhe arsenalin bërthamor të Izraelit.”

Izraeli as nuk e ka pranuar dhe as nuk e ka hedhur poshtë se ka armë bërthamore, por gjerësisht besohet se ka një arsenal të tillë.

Zëdhënësi i presidentit egjiptian tha se Egjipti po bën thirrje për dialog lidhur me ballafaqimin bërthamor të Iranit. Ai tha se Egjipti po i bën thirrje Iranit që të tregojë më shumë gadishmëri për bashkëpunim dhe mirëkuptim.

Para se të largohet nga rajoni, nënpresidenti amerikan sipas planeve, pritet të bëjë një vizitë të shkurtër edhe në Kuvajt, për ngushëllime pas vdekjes këtë javë të emirit të Kuvajtit.

Turneu i nënpresidentit Çeni në Lindjen e Mesme është vazhdim i një vizite që ai filloi në muajin dhjetor, por që e pezulloi për t’u kthyer në Uashington për të hedhur votën e tij vendimtare rreth një çështjeje në Senat.

XS
SM
MD
LG