Lidhje

Ambasadori Bremer flet për rreziqet që parashikon për Irakun


Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, fraksionet politike të Irakut janë në procesin e formimit të një qeverie koalicioni, ndërkohë që dhuna e kryengritësve vazhdon të marrë jetë njerëzish pothuajse çdo ditë. Kanë kaluar gati tre vjet që nga fillimi i luftës në Irak dhe tani, personi që ishte në krye të ndërhyrjes amerikane flet për përvojën e tij. Ambasadori L. Paul Bremer bisedoi me Zërin e Amerikës për arritjet e tij, gabimet e bëra dhe rreziqet që parashikon për Irakun.

Ishte një fillim ogurzi që më pas do të bëhej detyrë shkurajuese. Ndërsa Paul Bremer përgatitej të ulej në Bagdad në maj të vitit 2003, ai shihte tymin që dilte nga qyteti. “Bagdadi po digjet” kështu e fillon ambasadori librin e tij “Viti im në Irak.”

“Kur arritëm ne, plaçkitja kishte filluar në të gjithë Bagdadin. Një pjesë e saj ishte plaçkitje hakmarrjeje nga njerëz që ishin të zemëruar...një pjesë tjetër ishte thjesht sjellje kriminelësh. Kjo sigurisht që e bëri punën tonë më të komplikuar.”

Fakti që trupat amerikane nuk ndaluan plaçkitjen dhe nuk vunë rregull dha mesazhin e gabuar, thotë Bremer, duke shtuar se kjo mund të ketë inkurajuar kryengritësit më vonë. Zëri i Amerikës e pyeti zotin Bremer nëse ka pasur ndonjë mënyrë për ta parandaluar kryengritjen.

“Është e vështirë të thuash, sepse ne nuk e dimë se si është organizuar...Po të kishim vepruar që në fillim ndoshta do të kishte qenë ndryshe. Apo po të kishim më shumë trupa gjatë kohës së ndërhyrjes, mund të kishte ndihmuar gjithashtu.”

Bremer lë mënjanë njoftimet rreth mosmarrëveshjeve të tij me Pentagonin për nivelin e trupave.

“Le të jemi të qartë. I vetmi moment kur unë kam rekomanduar dërgimin e më shumë trupave atje ka qenë në fund të punës sime, pesë javë para se të largohesha.”

Bremer thotë se vendosi të kërkonte më shumë trupa sepse filloi të shihte se ushtria amerikane po mbivlerësonte aftësitë e forcave irakiane për të marrë përsipër sigurinë.

Ai pranon gjithashtu se kryengritja ishte, sipas fjalëve të tij, “më e vështirë dhe më këmbëngulesë seç e kishim pritur.”

Shpresat dhe realiteti në Irak janë debatuar shpesh. Në librin e tij, Bremer thotë se informacioni paraprak që i kishin dhënë nuk e kishte përgatitur fare për vendin e shkatërruar që gjeti në Irak kur arriti aty.

Ndërkohë që ai e mbron rindërtimin e pasluftës, ai e pranon se vështirësitë ishin pjesërisht për shkak të planifikimeve të Pentagonit për një konflikt shumë më ndryshe.

“Ata pritnin një luftë shumë më të vështirë dhe të gjatë. Ata planifikuan ngjarje që nuk ndodhën, katastrofa humanitare, dhe lëvizje të gjera refugjatësh. Ata mendonin se Sadami do të shkatërronte përsëri puset e naftës në jug. Por këto gjëra nuk ndodhën.”

Bremer thotë se vonesat e rindërtimit ndodhën kryesisht për shkak të infrastrukturës së varfër të Irakut.

Ambasadori e mohon se ka qenë gabim shpërbërja e ushtrisë së vjetër irakiane, duke thënë se kjo ishte shumë e rëndësishme për të shmangur frikën e shiitëve dhe kurdëve ndaj ringjalljes së një trupe të kontrolluar nga sunitë e Sadamit.

Bremer thotë se pavarësisht nga problemet e shumta, në Irak është bërë përparim i madh, duke përfshirë ekonominë në rritje dhe procesin politik.

“Shih çfarë kanë bërë. Brenda dy viteve, ata kanë ecur shumë përpara në rrugën drejt demokracisë. Vitin e kaluar janë zhvilluar tre procese zgjedhore. Tani ata po zhvillojnë një diskutim të rëndësishëm për formimin e një qeverie të bazuar në këto zgjedhje. Kështu ndodh në demokraci dhe nuk është proces i thjeshtë.”

Bremer citon shqetësimet për infiltrimin e forcave të sigurimit nga milicia shiite, për të cilin ai thotë se duhet të ndalohet. Por ndryshe nga disa analistë, Bremer nuk sheh ndonjë kërcënim se Iraku mund të jetë buzë një lufte civile.

XS
SM
MD
LG